Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se Perëndimi duhet të përgatitet për një luftë të gjatë në Ukrainë, duke shtuar se pavarësisht gjithçkaje se aleatët e Kievit do të qëndrojnë së bashku për aq sa ky konflikt i armatosur do të vijojë.

“Unë mendoj se duhet të jemi të përgatitur për një luftë të gjatë. Duhet të tregohemi të zgjuar dhe t’i japim Putinit mesazhin se ne jemi gati të qëndrojmë gjatë gjithë kohës me Ukrainën dhe se do ta mbështesim vazhdimisht. Vendimi i rëndësishëm që duhet të marrim të gjithë së bashku është të themi se jemi të gatshëm ta bëjmë një gjë të tillë për aq kohë sa është e nevojshme”, tha Scholz për CNN.

Scholz u shpreh se uniteti që po tregojnë aleatët e Ukrainës e ka habitur presidentin rus.

“Jam absolutisht i sigurt se Putini nuk e priste kurrë se do të kishte një Evropë të bashkuar dhe se do të kishte një botë të bashkuar. Ai kurrë nuk e kishte menduar se partneriteti transatlantik do të funksiononte aq mirë”, tha ai.

Scholz veçoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe thelbësore ndaj Kievit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb