Ish-deputeti Lefter Maliqi, i ftuar në News24, deklaroi se pas zgjedhjeve të fundit opozita po përgatitet për hapa të rinj politikë, duke paralajmëruar një sezon vjeshte të tensionuar.

Maliqi tha se strukturat e PD dhe aleatët e saj do të mblidhen në ditët në vijim për të vendosur strategjinë. Sipas tij, një nga opsionet e diskutuara është bojkotimi i parlamentit, por më e mundshme mbetet prania në Kuvend me një betejë të fortë politike. “Mandatet duhet të pranohen, por jeta parlamentare nuk do të funksionojë normalisht. Komisionet do të bllokohen,” u shpreh ai.

Një tjetër mundësi e paralajmëruar nga Maliqi është organizimi i protestave pa ndërprerje dhe madje edhe një grevë urie, duke e konsideruar këtë si mjetin kryesor të presionit ndaj qeverisë. “Do të jetë një vjeshtë e nxehtë dhe kjo është e domosdoshme, sepse opozitarët kërkojnë shpresë dhe rikthim besimi,” tha ai.

Në të njëjtën kohë, Maliqi theksoi pritjen për një reagim nga faktori ndërkombëtar pas raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet, si dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ai nënvizoi se disa deputetë të PD tashmë kanë dërguar të dhëna mbi manipulimet zgjedhore në organizmat ndërkombëtarë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb