DURRES – Prokuroria e Durrësit kërkon dënimin me nga 4 vjet e gjysmë burgim për dy drejtues të Inspektoratit të Mjedisit në këtë qytet, të akuzuar për veprën penale të “korrupsionit pasiv”.
Sipas prokurorisë, në përfundim të gjykimit, i cili u zhvillua me procedurë të shkurtuar, rezultoi se shtetasit Genci Balla, në detyrën e Kryeinspektorit të Mjedisit në Durrës dhe shtetasi Eduart Bejko, në funksionin e inspektorit në këtë institucion, i merrnin një sasi të konsiderueshme parash një shtetasi kinez, administrator i një kompanie private në Durrës, në këmbim të mos aplikimit të masave administrative gjobë, për parregullsi në ushtrimin e aktivitetit të tij.
Gjithashtu, së bashku me dy drejtuesit e inspektoratit të mjedisit Durrës, Prokuroria kërkon dënimin me 1 vit e 6 muaj burgim, me kusht, për shtetasen Dorina Nikolla, e akuzuar për “ushtrim ndikimi të paligjshëm”, e cila ishte personi që kryente ndërmjetësinë mes administratorit të kompanisë private dhe dy zyrtarëve publikë.
Nga hetimi rezulton se dy punonjësit publikë merrnin nga administratori shumën prej 100 mijë lekë të reja në muaj, në këmbim të mos ushtrimit të kontrollit në këtë kompani private.
(er.nu/BalkanWeb)
