Prokuroria e Durrësit nis hetimet për përmbytjet në Durrës dhe rrethinat e tij të shkaktuara prej 2 ditësh, ndërsa një punonjës Ndërmarrjes Komunale Plazh është viktima e parë e kësaj situate.
Prokuroria po heton për “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, për të hedhur dritë mbi shkaqet që cuan në shkaktimin e këtyre pasojave, si dhe po heton rolin e zyrtarëve të institucioneve, qëndrore e vendore, nëse e kanë përmbushur detyrën nër përmbyshje të ligjore.
Hetimi është nisur kryesisht nga prokurorja Suela Beluli dhe po administrohen të dhëna dhe dëshmi lidhur me situatën.
Prokuroria heton edhe për rrethanat e vdekjes së Astrit Hysenaj, trupi i pajetë I të cilit u gjet sot nga polumbarët e RENEA-s.
“Dyshohet se si pasojë e situates së përmbytjeve ka ardhur edhe vdekja e shtetasit Astrit Hysenaj, i cili rezulton të jetë punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Sipas informacioneve ky shtetas ka shkuar në zonë për të verifikuar situatën e krijuar”, thotë prokuroria.
Sipas prokurorisë “ka dyshime se nga personat e ngarkuar me funksione, të cilët kanë për detyrë menaxhimin e situatës janë kryer veprime ose mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke dëmtuar rëndë interesat e shtetasve dhe personave juridikë dhe kanë sjellë edhe pasojat e rënda të evidentueshme dhe të matshme mbi të mirat pasurore si edhe në jetën e një personi i cili ka humbur jetën”.
Nga verefikimet paraprake ka dyshime se situata me 250 ha tokë të përmbytur mbi 1000 familje të prekura e të dëmtuara, është shkaktuar për shkak të mosfunksionimit të Hidrovorit.
Tenderi për ndërtimin e Hidrovorit të ri, me vlerë 19 mln euro u fitua nga bashkimi i kompanive 2T, Adriatik dhe vëllezerit Hysa.
Kompania Adriatik zotërohet nga Petrit Kovaci në masën 50%. Petrit Kovaçi është babai i Spartak Kovaçit, ish-drejtor i Përgjithshëm i Ujësjellës Kanalizimeve. Kovaci rezulton të jetë lidhje familjare e Ceno Klosit, ish drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, ndërsa aktualisht është deputet në qarkun e Fierit. Spartak Kovaci është në listën e njerëzve të besuar të Belinda Ballukut, zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, për të cilën SPAK ka kërkuar leje në Kuvend për ta arrestuar, pasi e akuzon për abuzime me tenderat në miliona euro.
Referuar të dhënave të Open Data, kompania 2T zotërohet në masën 20% nga Artan Sako, vëllai i Gramoz Sakos, aktualisht kryetar i Bashkisë së Tepelenës, ndërsa ka qenë më herët drejtues i Gardës së Republikës.
Njoftimi i prokurorisë Durrës:
Përmbytjet, Prokuroria e Durrësit nis hetimet për tre vepra penale nga ‘Shpërdorim detyre’ tek ‘Shkatërrimi pronës nga pakujdesia’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës regjistron kryesisht procedim penal për tre vepra penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” të parashikuar nga nenet 153, 161 dhe 248 të Kodit Penal pas përmbytjeve të ndodhura në disa rrugë të qytetit të Durrësit dhe zonat përreth tij.
Regjistrimi i këtij procedimi penal erdhi pas situatës së krijuar përgjatë dy ditëve ku për shkak të rreshjeve të vazhdueshme u krijuan problematika reale, të dukshme për personat fizikë, për mirëqënien e tyre por edhe dëme të konsiderueshme.
Gjendja e krijuar e cila ka penguar zhvillimin normal të aktiviteteve arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun në të cilin ushtron juridiksionin territorial dhe lëndor Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, jep të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal.
Gjithashtu, nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e kësaj situate dyshohet se ka ardhur për pasojë dhe vdekja e shtetasit A.H., i cili rezulton të jetë punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend.
Në këto kushte, me qëllim thellimin në shkaqet që kanë çuar në shaktimin e këtyre pasojave dhe analizimin në mënyrë ezauruese nëse shkaqet kanë qenë tërësisht natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore, merret iniciativa për regjistrimin e këtij procedimi penal. Ndërkohë, hetimi i mëtejshëm do të japë përfundime të drejta mbi ekzistencën ose jo të përgjegjësisë penale.
