Nga KLODJANA HAXHIAJ

DURRES- Prej 3 ditësh qyteti i Durrësit është pa ujë. Përgjegjësi i mirëmbajtjes së rrjetit në Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës, inxhinieri Gerald Dautaj tha se shkak është bërë çarja e tubacionit kryesor në afërsi të stacionit të Fushë Kuqes.

Dautaj tha se dëmtimi është riparuar dhe se nesër nëpër rubineta qytetarët do të kenë ujë të pijshëm.
Mungesën e ujit të pijshëm nëpër rubineta po e vuajnë më së shumti banorët të cilët janë dyndur në çezmën publike të Ndërmarrjes së Ujësjellësit, por aty uji vjen jo i pastër për t’u konsumuar.

Ndërkaq, mungesa e ujit është ndjerë edhe nga bizneset, e sidomos lokalet.

Rrjeti që furnizon me ujë qytetin e Durrësit daton prej më shumë se 40 vitesh, dhe amortizimi për shkak të vjetërsisë ka sjellë difekte të shpeshta në linjën nga Fushë Kuqja deri në Durrës.

Edhe pse autoritetet kanë premtuar ndërtimin e një ujësjellësi të ri, deri më sot Durrësi vazhdon te vuajë mungesën e ujit të pijshëm me defektin më të vogël që ndodh në rrjet.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: