Pas raportimit të kreut të SPAK, Altin Dumani, në Kuvend për veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme gjatë vitit 2024, ligjvënësit nisën debatin parlamentar. Ndër zërat më kritikë ndaj drejtësisë ishte deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila riktheu në vëmendje çështjen e inceneratorëve, duke e cilësuar atë si “lakmusin” e vërtetë të funksionimit të SPAK.
“Zoti Dumani, e dëgjova përgjigjen tuaj. Çështjen e inceneratorëve PD e ka nisur që në vitin 2017. Në vitin 2020 kemi dorëzuar tre dosje për tre inceneratorët dhe më pas kam sjellë 12 padi të veçanta, duke nisur nga kryeministri, Engjëll Agaci, Belinda Balluku e të tjerë. Asnjë prej tyre sot nuk është përballur me drejtësinë,” deklaroi Tabaku.
Deputetja demokrate e cilësoi aferën e inceneratorëve si shembullin më domethënës të “kapjes së shtetit” dhe mungesës së barazisë para ligjit:
“Kjo çështje është manuali perfekt i kapjes së shtetit. Dy biznesmenë erdhën me duar në xhepa dhe shkruanin vetë vendimet e qeverisë që miratoi 17 akte brenda një dite.”
Sipas Tabakut, Partia Demokratike ka tetë vite që kërkon drejtësi për këtë aferë, por pavarësisht hetimeve të zhvilluara, personat përgjegjës politikë nuk janë vënë përpara ligjit.
“Drejtësinë për inceneratorët e kërkojmë prej tetë vitesh, për të treguar që në Shqipëri mund të ketë shpresë. Lakmusi i SPAK është inceneratori. Kam ardhur dy herë si person në dijeni, dhe fakti që një grup prej 12 personash që nuk mund të kishin vepruar të lirë vazhdojnë të paguhen me miliona euro, tregon se drejtësia nuk është e barabartë për të gjithë,” tha ajo.
