Zjarret vijojnë prej dy ditësh në disa zona malore të Kukësit, ndërsa shërbimet zjarrfikëse, banorët dhe forca të tjera operacionale po punojnë për izolimin e vatrave dhe vënien e tyre nën kontroll.
Një nga vatrat më problematike është në fshatin Kollovoz, ku terreni i vështirë malor po pengon ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Sipas të dhënave paraprake, nga flakët janë përfshirë rreth 50 hektarë tokë me shkurre dhe ferra.
Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar shërbimi zjarrfikës i Bashkisë Kukës, banorë të zonës dhe forca të tjera operacionale. Ekipet po punojnë për izolimin e vatrës dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri është evidentuar sot në fshatin Surroj, në zonën e bjeshkëve, në vendin e quajtur Qafë-Kali. Shërbimet zjarrfikëse janë nisur drejt zonës për ndërhyrje dhe për vlerësimin e situatës në terren.
Shkaqet e rënies së zjarreve në të dyja zonat ende nuk dihen. Erërat dhe temperaturat relativisht të larta për këtë periudhë të vjeshtës po favorizojnë përhapjen e flakëve dhe po e vështirësojnë ndërhyrjen e forcave në terren.
Fatmirësisht, të dyja vatrat ndodhen larg zonave të banuara dhe deri tani nuk raportohet për rrezik të drejtpërdrejtë për banorët.
