Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, doli në një konferencë për media dy ditë para zgjedhjeve të pjesshme lokale.

Celibashi tha KQZ ka marrë të gjitha masat, që procesi zgjedhor të ecë mirë, ndërsa paralajmëroi ata që do të tentojnë të cënojnë vullnetin e lirë të qytetarëve apo do të angazhohen në shit-blerje votash, do të përballen me pasoja.

Ju bëj me dije se ka kaluar akti normativ, që shtyn vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit, kështu që edhe për këto zgjedhje, ata qytetarë që kanë pasur një dokument identifikimi të skaduar apo ju skandon më 6 mars, është vendosur shtyrja e afatit të vlefshmërisë së tyre dhe ata do lejohen të votojnë. Jemi në fazën përmbyllëse të përgatitjes së këtyre zgjedhjeve. Kemi shpërndarë bazën materiale thuajse në të gjitha KZAZ-të, me përjashtim të një KZAZ-je në Shkodër. Jemi në fazën e përzgjedhjes së komisionerëve. Kemi probleme në këtë proces, por shpresoj që këtë pasdite ky proces të finalizohet.

Partitë e kanë bërë të drejtë të tyre të pakontestueshme që bëjnë ndryshimin e komisionerëve dy-tre ditë para zgjedhjeve. Por, ne shpresojmë që deri nesër t’i kemi dhe anëtarët e KZAZ-ve, pasi prania e tyre lidhet direkt me procesin e shpërndarjes së bazës materiale. Edhe në këto zgjedhje do të zhvillohet identifikimi elektronik i votuesve dhe në zonën e Bashkisë Vorë do të zhvillohet votimi elektronik. Në lidhje me shpërndarjen e bazës materiale, nga raportimet që kemi nga terreni nga KZAZ-të dhe inspektorët, kemi probleme dhe mund të kemi probleme në shpërndarjen e bazës materiale në disa zona të thella të Shkodrës. Kemi pasur një kërkesë nga ana e kryetares në detyrë të Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, për të bërë transferimin e vendndodhjes së rreth 12 qendrave votimi, ku ka vështirësi aksesi, në rrethinat e Shkodrës.

Kjo kërkesë, edhe pse ka qenë e arsyeshme dhe e logjikshme, por sa kohë nuk gjeti mbështetjen në ligj, nuk e kemi pranuar. Ne nuk mund të miratonim zhvendosjen e tyre gati 50 kilometra larg. Ky është një problem i ligjit, që ndoshta do duhet ta adresojë reforma zgjedhore. Problematika ngelet për të paktën dy zona të thella të Shkodrës, Shala dhe Pulti. Ka qenë problem edhe Boga e Thethi, por kemi marrë informacion që aty rrugët janë të hapura dhe mund të dërgojmë bazën materiale. Ngelet për t’u parë në këto dy njësitë e tjera administrative, ku për shkak të kushteve atmosferike mund të kemi probleme për transferimin e bazës materiale, por edhe me vendosjen në funksion të komisioneve të qendrave të votimit. Ne do të marrim të gjitha masat, që të mos kemi probleme, që lidhen me administrimin e procesit zgjedhor.

Sot në orën 14:00, KQZ do të zhvillojë procesin e testimit operacional të pajisjeve të votimit elektronik në Vorë. Nuk ka asnjë lloj shkaku apo preteksti për dikë që të dyshojë apo vërë në diskutim sigurinë e votës, nga cdo pikëpamje e këtij procesi. I ftoj qytetarët e Vorës që të marrin pjesë në votime dhe të mos kenë asnjë lloj droje për sigurinë e votës. Kjo thirrje vlen për të gjithë votuesit e pesë bashkive të tjera, për të marrë pjesë në votime, duke i garantuar për një proces të përgatitur nga KQZ në përputhje me të gjitha parashikimet e Kodit Zgjedhor. KQZ do të ketë vëmendje të shtuar në këto zgjedhje ndaj disa elementeve negative, të klasifikuara si kriminale. Çdokush që do të angazhohet në një proces të shit-blerjes së votës, apo ndikim tjetër mbi vullnetin e qytetarëve, do të ketë pasoja. Nuk më vjen mirë ta sjell në vëmendje, por tashmë një pjesë jo e vogël e atyre rasteve e personave, të cilët KQZ i ka evidentuar si në shkelje të kodit zgjedhor, janë duke u ballafaquar me organet e drejtësisë. Ftoj të gjithë ata që evidentojnë shkelje, t’i denoncojnë ato”, tha Celibashi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb