Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë një denoncim të fortë për biznesmenin në kërkim, Ergys Agasi. Duke iu referuar qytetarit dixhital, Berisha tha se Agasin e kanë rrahur keq, sa përfundoi sipas tij në një spital privat.
Ndërkohë, ai tha se nuk është lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për biznesmenin e përfshirë në akuza dhe afera në çështjen e AKSHI-t, ndërsa shtoi se urdhri i lëshuar nga SPAK për të nuk ka vlerë. Sipas Berishës, policia nuk e arreston Agasin, pasi ky i fundit është vetë Rama.
“Dy individë të lidhur kokë e këmbë me krimin, me bandat dhe trafikun. Nisma Vuçiç-Rama po përfundon aty ku e ka vendin. Ka ngjallur përçmim dhe ka treguar se këta dy persona nuk kanë interesa të tjera, përveç atyre të xhepit.
Po kaq është dosja e AKSHI-t. Dy javë më parë, Ergys Agasin e kanë rrahur shumë keq. E kanë shtruar në dru. Po po! Sipas qytetarit dixhital është dërguar në një spital privat. Do të duhet të dini një gjë se Agasi mbrohet nga shteti.
Nuk ekziston mandat ndërkombëtar për Ergys Agasin. Nuk ekziston. Ky mandati në Shqipëri është i pavlerë, pasi policia atë nuk e arreston. Ai ka hequr ministra. Këto janë zhvillime për këtë prestonome të Edi Ramës. Ergysi është vetë Rama, të kuptohemi!”, tha ai.
