Ndërkohë që e gjithë bota kishte sytë nga Irani dhe mundësinë e sulmeve të SHBA pas kërcënimeve të Donald Trump se një komb do të shuhej, gjithçka u zgjidh përkohësisht ndërsa afati ishte në përfundim.

Presidenti i SHBA njoftoi se një armëpushim 2 javor është arritur, ndërkohë që njëkohësisht do të vijojnë negociatat që mund të çojnë deri në arritjen e paqes.
Liderët europianë kanë reaguar në lidhje me arritjen e armëpushimit.

Volodymyr Zelensky tha se Ukraina mbështet armëpushimin që “hap rrugën për përpjekje diplomatike”, duke shtuar: “Ukraina i thotë edhe një herë Rusisë: ne jemi të gatshëm të përgjigjemi në të njëjtën mënyrë nëse rusët ndalojnë sulmet e tyre”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se e mirëpriti armëpushimin pasi “sjell qetësimin e domosdoshëm” dhe falënderoi Pakistanin për ndërmjetësimin e tij, përpara se të thoshte se është “thelbësore” që negociatat të vazhdojnë.

Ndërkohë kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, tha se armëpushimi ishte “një hap prapa nga pragu i krizës pas javësh përshkallëzimi” dhe krijon një shans shumë të nevojshëm për të zbutur kërcënimet, për të ndaluar raketat, për të rinisur transportin detar dhe për të krijuar hapësirë për diplomaci drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se armëpushimi ishte një “gjë shumë e mirë”, por shtoi se situata në Liban mbeti kritike dhe bëri thirrje që Libani të përfshihej në marrëveshje.

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, u shpreh se mbështet armëpushimin, duke falënderuar Pakistanin për ndërmjetësimin e tij dhe duke shtuar se qëllimi tani është të negociohet një “fund i qëndrueshëm i luftës”.

Ndërkohë Papa Leo , i cili është shfaqur si një kritik i hapur i konfliktit, tha se e mirëpriti njoftimin me “kënaqësi të madhe” pasi i quajti kërcënimet e Trump kundër Iranit “të papranueshme” dje.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, i cili ka qenë një kundërshtar i zëshëm i luftës, ishte më kritik, duke thënë se armëpushimet janë gjithmonë lajme të mira, por lehtësimi i çastit nuk mund të na bëjë të harrojmë kaosin, shkatërrimin dhe jetët e humbura.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb