Administrata e presidentit Donald Trump i është drejtuar gjykatës federale për të kërkuar ndalimin e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Senatin në Alaska, nëse republikani Dan Sullivan humbet me një diferencë më të vogël se numri i votave të marra nga një kandidat tjetër me të njëjtin emër.
Në padinë e ngritur të enjten, Departamenti i Drejtësisë argumenton se prania e dy kandidatëve me emrin Dan Sullivan në fletën e votimit mund të ngatërrojë votuesit dhe të ndikojë në rezultatin përfundimtar.
Gara mes senatorit republikan në detyrë dhe demokrates Mary Peltola paraqitet e ngushtë. Sipas sondazheve të përmendura në raportim, Peltola ka një epërsi të lehtë përpara votimit të 3 nëntorit.
Trump konfirmoi se kishte mbështetur personalisht ndërmarrjen e veprimit ligjor.
“Unë jam ai që thashë bëjeni”, u tha presidenti gazetarëve, pasi mbërriti në Florida për një tubim elektoral të premten.
Ai e ka cilësuar kandidaturën e Sullivanit të dytë si një “mashtrim”, ndërsa ka deklaruar se administrata po shqyrton mundësi ligjore për ta kundërshtuar atë. Përpjekjet e mëparshme për largimin e kandidatit nga fleta e votimit janë rrëzuar nga Gjykata Supreme e Alaskës.
Kandidati tjetër, Dan J. Sullivan, është mësues në pension dhe ish-punonjës i Shërbimit Pyjor amerikan. Ai i ka mohuar vazhdimisht pretendimet se kandidatura e tij synon të ndihmojë Peltolën duke i marrë vota senatorit republikan.
Në një deklaratë për gazetën lokale Petersburg Pilot, Sullivan tha se as nuk do të dinte me kë të komunikonte në fushatën e kandidates demokrate. Në një intervistë tjetër, ai u shpreh se shpresonte që qytetarët ta dinin qartë se për kë dhe për çfarë po votonin, duke mbrojtur të drejtën për të pasur alternativa në zgjedhje.
Departamenti i Drejtësisë pretendon se ngjashmëria e emrave mund të shtrembërojë vullnetin e votuesve. Për këtë arsye, kërkon që, në rast të një humbjeje të ngushtë të senatorit, certifikimi të shtyhet deri në shqyrtimin e ndikimit që mund të ketë pasur kandidatura tjetër.
Padia kërkon hetimin e konfuzionit të mundshëm mes votuesve dhe marrjen e hapave të nevojshëm për të përcaktuar se si mund të kishte rezultuar gara pa përfshirjen e Dan J. Sullivanit në fletën e votimit.
Alaska përdor sistemin e votimit me renditje preferencash, i cili u lejon qytetarëve t’i rendisin kandidatët sipas zgjedhjes së tyre. Senatori Sullivan do të identifikohet në fletën e votimit si republikani në detyrë.
Deri në momentin e raportimit, as senatori Sullivan dhe as Peltola nuk kishin komentuar mbi padinë. Gara në Alaska është ndër përballjet që po ndiqen me vëmendje në zgjedhjet e mesit të mandatit.
