Partia Demokratike ka denoncuar atë që e cilëson si një situatë të rëndë nepotizmi dhe keqmenaxhimi në Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, duke akuzuar qeverinë për degradimin e arsimit të lartë publik gjatë viteve të fundit.

Në një deklaratë publike, drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula, tha se gjatë 13 viteve të qeverisjes së Edi Rama, ky universitet është shndërruar nga një institucion me traditë në një “simbol të shpërbërjes së arsimit të lartë”. Sipas saj, nepotizmi dhe klientelizmi kanë përfshirë çdo hallkë të institucionit, duke përfshirë punësimet, menaxhimin financiar dhe proceset akademike. Ajo pretendoi se në universitet janë krijuar “dinasti familjare dhe politike”, ku poste të rëndësishme mbahen nga persona me lidhje të afërta familjare.

Në deklaratë renditen një sërë rastesh të pretenduara të konfliktit të interesit, ku drejtues dhe ish-drejtues të universitetit thuhet se kanë të punësuar familjarë të afërt në role akademike dhe administrative. Sipas PD-së, ky fenomen është shtrirë jo vetëm në strukturat akademike, por edhe në administratë.

PD thekson gjithashtu se mungesa e transparencës në përdorimin e fondeve dhe problemet me pagesat e pedagogëve janë tregues të një krize më të gjerë në sistemin universitar publik.

Deklarata e drejtueses së Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula:

Gjatë këtyre trembëdhjetë viteve të qeverisjes së Edi Ramës, universiteti me emrin e madh të shkencave albanologjike, Eqrem Çabej, në Gjirokastër, është shndërruar në simbol të shpërbërjes së arsimit të lartë publik në Shqipëri.

Nepotizmi i shfrenuar, krijimi i dinastive familjare dhe politike sundon çdo hallkë të universitetit: nga punësimet te diplomat fantazmë; nga zbrazja e auditorëve te mjegullnaja e fondeve financiare, të lëvruara pa transparencë e shpesh në funksion të interesave të ngushta të drejtuesve që shkojnë deri në pikën e mospagesës për pedagogë të brendshëm kundrejt qokave për pedagogët e jashtëm.

Raportimet mediatike dhe nga terreni dëshmojnë se grupet nepotike kanë uzurpuar çdo strukturë universitare:

– Në zyrën e kurrikulave gjendet ish-sanitarja e Universitetit, edhe pse ky pozicion kërkon profesioniste për ekspertiza të mirëfillta.

– Nuk ndodh kund në botë që zv. rektorja dhe përgjegjësja e marrëdhënieve me jashtë e universitetit, njëkohësisht kryetare e këshillit bashkiak të Gjirokastrës, e pagëzuar me titullin ‘Lubia e universitetit’ pedagogia e anglishtes M. I. të ketë edhe dy kunatat dhe dy kushërirat e para pedagoge.

– Ish-rektori B. M. ka djalin dhe nusen e djalit dhe krushkun pedagog dhe një person të afërt sekretare.

– Një tjetër ish-rektor, G. S., aktualisht zv/rektor ka edhe bashkëshorten shefe departamenti të historisë edhe djalin pedagog.

– Kryetari i bordit të universitetit, pedagogu, Th. T. ka marre edhe dy motrat pedagoge.

– Dekani i shkencave të Natyrës, S. M., ka dy vajzat pedagoge dhe nusen e nipit laborante.

– Në degën e studimit të Greqishtes janë 5 pedagogë në lidhje bashkëshortore dhe familjare shumë të afërta.

– Kancelari dhe administrator S. G., ka 2 pedagoge, vëlla e motër, 2 kushërinj.

– Nepotizmi që është shtrirë në të gjitha strukturat akademike në këtë universitet e ka pasur më të lehtë të zaptojë administratën: pesë anëtarë nga familja Shehu punojnë në administratë.

Kjo është vetëm një pjesë e panoramës së Universitetit të Gjirokastrës i cili nga qendër e dijes dhe kërkimit, është kthyer në një rrjet interesash të ndërthurura familjare dhe politike, ndërsa merita është zëvendësuar nga klientelizmi dhe korrupsioni.

Në këtë realitet të rëndë, ministria e arsimit, znj. Mirela Kumbaro, sikur të jetojë në ishull, ironikisht, flet për hartimin e strategjisë 2027-2032 me prioritet cilësinë; për krijimin e mekanizmave për të kontrolluar cilësinë në arsimin e lartë dhe për ndërkombëtarizim të arsimit të lartë; për rishikimin e ligjit 80/2015, pas 11-të vitesh nga hyrja e tij në zbatim, pa zënë me gojë kolapsin e plotë universitar, që nuk karakterizon vetëm një universitet, por prej vitesh, ka ngërthyer gjithë sistemin universitar publik në vend.

U bëj thirrje institucioneve përgjegjëse si Ministria e Arsimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit si dhe organeve të drejtësisë që të nisin pa vonesë verifikime të thelluara dhe të pavarura mbi fenomenin e konfliktit të interesit dhe nepotizmit në të gjitha universitetet publike në vend.

Vetëm përmes transparencës, hetimit të paanshëm dhe ndëshkimit të çdo shkeljeje ligjore mund të rikthehet besimi i publikut dhe të garantohet funksionimi i një sistemi universitar të bazuar në meritë dhe integritet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: