Pesë ndeshje radhazi pa fitore në kampionat, ku te Vllaznia janë grumbulluar vetëm 3 pikë nga 15 të mundshme, kanë konfirmuar krizën që po kalojnë shkodranët në këtë periudhë të edicionit. Teksa 9 herë kampionët e vendit tonë nga pretendentët numër një për titullin kampion para pak javësh, tashmë e kanë “lëshuar” këtë pozicion.
Duke qenë tashmë në ndjekje të kundërshtarëve direktë si Elbasani dhe Egnatia, të cilët kanë rikuperuar shumë e po ashtu parakaluar kuqeblutë në garën për vendet e para të renditjes. Kjo situatë e krijuar në këtë fundviti për kuqeblutë, duket se ka futur totalisht në presion shkodranët. Të cilët tashmë kanë si detyrim të fitojnë dy ndeshjet e fundit që mbyllin edhe vitin 2025 për kuqeblutë. Ku si fillim do jetë Tirana kundërshtar në këtë fundjavë në kuadër të javës së 17-të të edicionit e ndërsa mesjavën që vjen, Vllaznia do të presë në Shkodër, Flamurtarin, për të mbyllur llogaritë për gjysmën e parë të sezonit 2025-26 të Superiores. Dy takime ku për Vllazninë vlejnë vetëm 6 pikë dhe asgjë tjetër, kjo duke parë se përballë janë dy ekipet që mbyllin edhe klasifikimin e kampionatit. Dhe në këtë situatë ku shkodranët ndodhen edhe nën presionin e rezultatit, asgjë nuk është e garantuar, pavarësisht se objektivi është një dhe i qartë, marrja e 6 pikëve në dy ndeshjet e fundit. Kjo për të kthyer qetësinë e po ashtu kthyer kuqeblutë në rrugën e duhur në kampionat. Ku edhe pushimi dimëror duket se po vjen në momentin e duhur për skuadrën e Edi Martinit.
NDESHJET VENDASE – Në qoftë se ndeshjet në shtëpi deri para pak javësh ishin pika më e fortë e Vllaznisë në këtë sezon, ku shkodranët kishin marrë vetëm fitore në “Loro Boriçi”, ky “mit” ka rënë në dy ndeshjet e fundit të zhvilluara në Shkodër për kuqeblutë. Kështu ishte fillimisht Teuta, e cila ishte skuadra e parë që arriti t’i merrte pikë Vllaznisë në shtëpi këtë sezon. Me durrsakët që triumfuan 0-1 në javën e 13-të të Superiores, falë një goli të Beshirajt, duke i shkaktuar 9 herë kampionëve të vendit humbjen e parë këtë sezon në Shkodër. Por, ishte edhe Bylisi në javën e 16-të të kampionatit që arriti po ashtu të merrte pikë në Shkodër. Kjo me ballshiotët që morën një pikë plot vlera me rezultatin 1-1 ndaj Vllaznisë, në këtë mënyrë duke mos i lejuar kuqeblutë të rikthehen në rrugën e fitoreve në kampionat.
Pavarësisht se në letër ndaj mallakastriotëve ishin dukshëm favorit në letër, kjo edhe për faktin se dueli luhej në Shkodër. Pra, 2 ndeshje radhazi për kuqeblutë në shtëpi, të cilët nga 6 pikë të mundshme kanë arritur të marrin vetëm një të tillë. Duke humbur shumë në garën për vendin e parë në Superiore, ku tashmë Elbasani dhe Egnatia janë shkëputur ndaj skuadrës së drejtuar nga Martini. Për të llogaritur ndoshta edhe ndeshjen me Vorën, e cila pavarësisht se Vllaznia konsiderohej si udhëtuese, dueli u zhvillua në Shkodër.
Ku edhe në atë duel, Vllaznia pavarësisht se luajti në “Loro Boriçi” nuk shkoi më larg se barazimi 0- 0 ndaj debutuesve të Superiores. Një formë aspak pozitive kjo e Vllaznisë, që në 5 ndeshjet e fundit ka grumbulluar vetëm 3 pikë, duke shënuar 2 gola e pësuar po ashtu dy të tillë. Ku skuadra me këto statistika duket si një ekip që pretendon për të mos u rrëzuar nga Superiorja dhe jo një skuadër që ka si qëllim fitimin e titullit kampion. Ku edhe pika më e fortë e kuqebluve, që deri tani ishin ndeshjet në shtëpi, duket se ka “rënë”. Me kuqeblutë që duhet të gjejnë sa më shpejt të jetë e mundur vetveten, për të dalë nga kjo situatë aspak e favorshme në të cilën ndodhen 9 herë kampionët e vendit tonë.
