Nga: GJERGJ FRASHËRI*
Durrësi është pa mëdyshje qyteti me nëntokën më të pasur arkeologjike antike dhe mesjetare në trojet shqiptare, i cili jeton pa ndërprerje në të njëjtin vend qysh nga lashtësia. Ai është kryeqyteti arkeologjik i Shqipërisë. Dyrrahu – ky monument i madh i Ilirisë dhe i shqiptarëve nuk i ka treguar ende thesaret më të çmueshme të historisë së tij si qytet i shquar i Adriatikut dhe i Mesdheut, si qytet-ndërlidhës dymijëvjeçar i Romës (Venedigut) dhe Kostandinopojës (Byzantion), si porta e autostradës së përbotshme historike “Egnatia”, si “taberna” e Adriatikut në kohën romake. Madje atij nuk ia kemi zbuluar as përmasat e rrezatimit arkeologjik ndërkombëtar. Si një Damë qytetare nga më të moshuarat e botës që i ka qëndruar stuhive të historisë gati tremijëvjeçare, Durrësi ynë është pagëzuar gjatë historisë së tij prehistorike dhe antike me dy emra tashmë të mirënjohur – Epidam dhe Dyrrah. Por ende nuk ka një përgjigje të qartë dhe të argumentuar, pse i janë dashur Durrësit këto dy emra në fillesat e tij si qytet në lashtësi? Përpjekjet tona të viteve të fundit për të ndërtuar Topografinë arkeologjike të qytetit të Durrësit prej prehistorisë deri në mesjetë, na nxitën për të medituar edhe një herë mbi prejardhjen e këtyre dy emrave dhe materializimin e tyre në hapësirën e qytetit historik.

Durrës-Dyrrah
Në botimet dhe burimet arkivore nuk vihet në dyshim, se toponimi Durrës, vjen nga mesjeta, nga mijëvjeçari i fundit. Është për t’u besuar, se emërtimi Durrës është një lodrim leksikor në kohë i emrit të lashtë Dyrrah, ashtu siç ka lodruar emërtesa e latinizuar Dyrrachium nga romakët, në emërtesën e italianizuar Durazzo nga italianët (venecianët) gjatë mesjetës. Prejardhja e emrit Durrës nga emri Dyrrah flet për një varësi të drejtpërdrejtë të këtyre dy toponimeve, për përkatësinë e së njëjtës hapësirë qytetare urbane, pra vetëkupton që Durrësi mesjetar dhe ai i Kohës së Ré gjendet mbi të njëjtën hapësirë urbane qytetare të Dyrrahut antik. Harta e topografisë arkeologjike e hartuar prej nesh, dëshmon më së miri edhe anasjelltas, se Dyrrahu i fshehur në nëntokë shtrihet nën hapësirën e Durrësit të sotëm, pra jo vetëm në shpatet lindore të vargut kodrinor, por edhe në hapësirën fushore urbane poshtë tyre, deri edhe mbi brigjet ujore të Lagunës (Kënetës) të kthyer në sipërfaqe ndërtimi.

Epidam dhe Dyrrah – dy emra për të njëjtin qytet, apo dy vendbanime qytetare të veçanta? Me rastin e vendosjes së administratës helene në vitin 627 para Kr., vendbanimi i hershëm fillestar në hapësirën e Durrësit prezantohet me emrin Epidam (Epidamn). Gati 4 shekuj më vonë, gjatë Luftës së Parë iliro-romake (229–228 para Kr.), qyteti nuk përmendet vetëm me emrin e vjetër Epidam, por ka edhe një emër të dytë, atë Dyrrah. Ndërsa me rastin e krijimit të Provincës së Maqedonisë në vitin 148 para Kr., Durrësi njihet zyrtarisht vetëm me emrin Dyrrah. Prej kësaj kohe emri Epidam nuk përmendet më.

Në pamjen e parë duket se të dy këto emërtime tregojnë apo nënkuptojnë të njëjtin qytet, fillimisht i quajtur me emrin Epidam në kohën e administrimit helen dhe më vonë i thirrur me emrin Dyrrah në kohën e hershme të administrimit republikan romak. Kjo nuk duket fort bindëse. Së pari, sepse të dy këto emërtime nuk janë as të gjuhës helene dhe as latine, por të gjuhës vendase, ilire. Si të tillë nuk ka arsye pse njëri të ketë zëvendësuar tjetrin po t’i përkisnin të njëjtit vendbanim, të njëjtës hapësirë urbane, të njëjtit qytet. Së dyti, ky supozim nuk të bind edhe për faktin, se nuk gjendet një ndodhi historike që t’i ketë dhënë të drejtë ndërrimit kryekëput të emrit të një qyteti, i cili prej shek. 7 p. K. nuk e ka ndërprerë jetën e tij urbane. Së treti, nuk ka asnjë bazë për tu besuar legjenda, se emri Dyrrah ka zëvendësuar emrin fillestar Epidam, prej një sunduesi të quajtur Dyrrah, i cili i ka hequr qytetit emrin e vjetër, duke i vënë atij emrin e vet. Ne i bashkohemi mendimit, se të dy emërtimet Epidam dhe Dyrrah të dallueshme, të pa ngjashme nga njëri tjetri, vijnë nga kohërat prehistorike dhe përcaktojnë hapësira të pavarura urbane, secila e zhvilluar në segmentin e vet të dallueshëm në kohë, në arealin ku shtrihet qyteti i sotëm i Durrësit.

Topografia jonë arkeologjike mbi qytetin e Durrësit tregon për dy faza fillestare themeluese urbane të qytetit. Më e hershmja i përket një hapësire urbane të një vendbanimi fillestar me kulturë iliro-arkaike-helene të shek. 7–5/4 para Kr., e cila lokalizohet në një sipërfaqe të kufizuar në pjesën më të lartë të relievit ku shtrihet qyteti i sotëm i Durrësit, në lartësitë kodrinore përreth kodrës Stani. Kësaj hapësire urbane i takon edhe nekropoli i kësaj periudhe – në kodrën Daute dhe në kufijtë me kodrën Kokomani. Ky unitet protourban ka një sipërfaqe shumë të kufizuar dhe shumë më të vogël, në krahasim me shtrirjen e qytetit në fazën e dytë me kulturë iliro-romake, që i takon hapësirës urbane të kohës së mbretërve ilirë dhe në vazhdim të periudhës së administrimit romak të tij. Prej shek. 4 para Kr. qyteti u shtri tej bërthamës ku lokalizohet themelimi fillestar Epidam, jo vetëm u përhap poshtë kodrave – pra nën këmbët e bërthamës së vjetër, por për nevojat e zgjerimit të vazhdueshëm të tij, u kthyen në tokë ndërtimi edhe brigjet ujore të Lagunës. Këto dy faza të zhvillimit urban të qytetit të Durrësit në lashtësi, tashmë të evidentuara qartë në hartën topografike arkeologjike, na japin të drejtë të vijmë në përfundimin, se Epidam dhe Dyrrah përfaqësojnë dy terrene urbane të dallueshme nga njëri tjetri, të krijuara dhe të zhvilluara në kohë të ndryshme, në vazhdimësi njëri pas tjetrit.

Sipas të dhënave topografike arkeologjike, hapësira me kulturë iliro-arkaiko-helene e vendbanimit më të hershëm qytetar të Durrësit kur ai thirrej Epidam, rezulton të ketë qenë deri në shek. 5/4 para Kr. shumë më e vogël, se sa shtrirja urbane e qytetit të mëvonshëm në kohën e mbretërve ilirë dhe të administrimit romak, kur ai thirrej Dyrrah. Kur për herë të parë qyteti na del i pagëzuar me emrin Dyrrah, sipërfaqja e tij ishte gati 30 herë më e madhe se sa sipërfaqja e Epidam-it të mëparshëm. Duke ndjekur fenomenin në kohë vërehet, se toponimi Epidam ka pagëzuar një hapësirë të kufizuar të vendbanimit fillestar përfshirë edhe nekropolin e tij, të vendosur në pjesën më të lartë të relievit, në shpatet kodrinore (Foto 1). Ndërsa me emrin Dyrrah është pagëzuar jo më vonë se shek. 4 para Kr. një hapësirë shumë më e madhe, që zinte sipërfaqet fushore dhe brigjet e Lagunës së Gadishullit ose më saktë të Ishullit të Durrësit, ku u zhvillua Dyrrah-u, ku është edhe Durrësi i sotëm. Mbetet të pyesim, përse emri Epidam nuk i mbeti qytetit të zgjeruar prej shek. 4 para Kr. e më tej? Pse me zgjerimin e tij të mëvonshëm, qyteti mori emrin Dy-rrah dhe emri Epidam u gëlltit, nuk u dëgjua më?

Nga vjen emri Dyrrah? Duke u mbështetur tërësisht në rezultatet studimore gjuhëtarit tonë Eqerem Çabej (Studime Gjuhësore, II, Prishtinë 1976, f. 80–86 dhe Studime Gjuhësore, IV, Prishtinë 1977, f. 179 dhe Studime Etimologjike në fushë të shqipes, II, Tiranë 1976, f. 1149; Rexhep Doçi, Ndihmesa e Eqrem Çabejt në fushën e onomastikës, Zemra Shqiptare, 09.08.2008) mbi rrënjët e shqipe-ilirishtes, mësohet se toponimi Dyrrah përbëhet nga dy fjalë të ilirishtes, nga fjala dy dhe rrahe, të cilat kanë kuptim të plotë edhe në gjuhën e sotme shqipe. Fjala dy është numëror në gjuhën shqipe, që njofton për dy sende. Pra nga ana konstruktive leksikore kemi të bëjmë me dy-rrahe, pa ditur njëherazi se çdo të thotë fjala rrah. Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe të Mehmet Elezit (Enti botues “Gjergj Fishta”, Botimi tretë 2009), fjala Rráh/ë (shquar femëror Rrah-a, shumësi rrah-at) ka kuptimin shteg ndarës, si të thuash përshembull, vija e ndarjes së flokëve, ose ka kuptimin përshembull rrugë apo shteg në borë, në trajtë kanali, krijuar duke e rrahur e ngjeshur borën me këmbë, etj. Në përputhje me kuptimin shteg ndarës, dy-Rrahe do të thotë dy-shtegje ndarës, dy vija ndarëse, dy rrugë – dy shtigje: në rastin tonë, dy shtigje uji – dy kalime ujore.

Kështu jemi afër kuptimit, se i gjithë vendi ku shtrihet Durrësi i sotëm (Dyrrah-u antik) mund të jetë pagëzuar nga ilirët me emrin gjeografik – vendi midis Dy Rrahe-ve, domethënë vendi midis dy kalimeve (vijave) ujore që lidhnin detin me Lagunën në brendësi të vendit. (Zor se mund të ketë një gjuhë tjetër, perandorake apo popujsh që kanë kaluar mbi Shqipëri në shekujt antikë që të kenë pasur në përdorim në gjuhën e tyre, dy bashkëtingëlloreshin rr, siç gjendën ato rëndom në gjuhën ilire-shqipe në emra vendesh gjeografikë, emra vendbanimesh apo fjalë, të tilla si Rrushkull, Rrashbull, Rrjoll, Rrogozhinë, Rrëshen, etj, apo – Burrel, Sharrë, Kërrabë, Arrëz, Përrenjas, Mamurras, etj, apo – marr, rreth, varros, rrafsh, rreze, rrasë, nxjerr, rrënjë, rrotulloj, rrugë, rrëmoj, etj., përfshirë edhe Dyrrah, të cilat as nuk janë helenizuar, as romanizuar, as bizantinizuar, as osmanizuar, as sllavizuar, as italianizuar, as greqizuar, etj.). Këtu vijnë menjëherë parasysh dy kalimet ujore të çelura nga natyra në dy anët e vargut kodrinor të Durrësit, të cilat në fakt kanë qenë deltat e Lagunës, njëra në anën veriore të Durrësit në Porto Romano dhe tjetra në jug ku qëndron tashmë Ura e Dajlanit, e mbyllur me rastin e tharjes së kënetës në vitin 1962 (Fig. 2). Uji i Lagunës (kënetës) ushqehej nga deti dhe ka qenë përherë i kripur, pra kishte lidhje të drejtpërdrejtë me detin, çka tregon se qyteti ka qëndruar historikisht mbi ishull (jo mbi gadishull). Dëshmi është edhe fakti, se edhe pas tharrjes së kënetës, tash prej më se pesë dekadash, toka ka mbetur kaq e kripëzuar, sa është e papërdorshme për bujqësi. Për detarët ilirë të Adriatikut, një vend me epërsi të tillë gjeografike-strategjike, ku anijet e tyre mund të hynin dhe të dilnin nga Laguna e mbrapatokës nëpërmjet dy kanaleve, ka qenë zbuluar padyshim qysh në prehistori. Deti lidhej kështu me Lagunën (kënetën) nëpërmjet Dy-Rraheve dhe anasjelltas. Me zhvillimin që mori qyteti në shek. 4–3 para Kr. dhe më tej në kohën e administrimit romak, ai u shtri në tërë fushën dhe pushtoi edhe brigjet e Lagunës, duke zaptuar kështu tërë vendin e përcaktuar gjeografikisht midis Dy-rrahe-ve, duke marrë kështu automatikisht emrin e këtij vendi të dhënë nga vendasit detarë të kohërave prehistorike.

Dyrrahu nuk ka qenë koloni romake, por qytet-shtet i lirë. Me këtë status romakët, të paktën në periudhën republikane nuk u bënë zotër të portit të lashtë në shtegun jugor të Dyrrah-ut. Kjo duhet të jetë sipas meje arsyeja, që i detyroi romakët të ndërtonin në shek. 1para Kr. një port të dytë, në shtegun e dytë, atë verior të vendit të quajtur Dyrrah, të cilën e quajtën Porto Romano. Kjo tregon gjithashtu, se romakëve u duhej në përdorimin e tyre një port në Dyrrah, në shpinë të portit të lashtë të ilirëve. Në këtë kontekst, pra prania e dy porteve, secili në dy skajet e vargut kodrinor të Durrësit, mund të sjellë dyshimin se Dy-rrahe do të thotë Dy-porte, ose Dy-limane, etj. Kjo nuk qëndron, sepse të paktën limani i Porto Romanos është ndërtuar pasi qyteti ishte të paktën dy shekuj më parë i pagëzuar me emrin Dyrrah.

Nga vjen emri Epidam? Edhe fjala Epidam nuk është e huaj në gjuhën shqipe. Toponimi Epidam përbëhet nga dy fjalë të ilirishtes, nga Epi dhe Dame, të cilat kanë kuptim të plotë edhe në gjuhën e sotme shqipe. Sipas Elezit fjala Epi me referencën e saj më të plotë Epër ka kuptimim i sipërm, përmbi; ose në variantin Epri me kuptimin nga lart, prej së larti. Kjo fjalë përdoret për të përcaktuar një vend të epërm (sipërm, më të lartë) në krahasimin me relievin përreth më të ulët. Fjala Dame është gjithashtu fjalë ë vjetër ilire, e përdorur edhe në Kanunet shqiptare, që përmban dy kuptime, njëra do të thotë – i/e ndarë; ndërsa kuptimi tjetër është copë e qëndisur, ose tërësia e vijave zbukuruese të veshjes së gruas (xhubleta). Personalisht jam i prirur të besoj se emrat e vendeve tek ilirët e lashtë kanë përherë një figuracion materialist, shumë herë deri në një surrealizëm primitivist mbi pagëzimet që ata i bënin emërtimeve të vendeve në natyrë apo të themelimeve të vendbanimeve të tyre. Emërtimi Epidam ligjëron në toponiminë e vet të paktën vendndodhjen në pjesën më të lartë të relievit ku shtrihet Durrësi i sotëm (Dyrrahu antik). Me madhësinë e vet tepër modeste të një vendbanimi protourban vendosur në pjesën e lartë të relievit përreth, themeluesit e Epidam-it prehistorik nuk mund të pretendonin t’i jepnin atij, domethënë ta vishnin atë më emrin gjeografik të vendit 10 km të gjatë midis Dy-rrahe –ve.

Sidoqoftë Epidam është emri i vendbanimit prehistorik të Durrësit me origjinë pellazgo-ilire, për të cilën besoj se vendosja e administratës helene në vitin 627 para Kr. vetëm e ka konfirmuar. Ky vendbanim protourban vendosur në pjesën e sipërme kodrinore, i përshtatshëm për shekujt prehistorikë, ka shërbyer si kërthiza e një qyteti të madh antik, qytet që u shtri në këmbët vendbanimit të vjetër, në tërë relievin poshtë tij deri në Lagunë, midis Dy-rrahe-ve ujore.

Zgjerimi i mëtejshëm i vendbanimit Epidam drejt hapësirës fushore nuk ka ndodhur nga romakët. Gërmimet në “Lulishten 1 Maj” (2010) dëshmojnë se lagjet e zejtarëve ilirë janë themeluar si hapësira urbanistike të qytetit qysh në shek. 4 para Kr. dhe rritur gjatë shek. 3 para Kr., pra në kohën e mbretërve ilirë taulantë, domethënë shumë më parë se sa vitet 229–228 para Kr., kur ushtritë e Republikës u shfaqën për herë të parë para portave të Durrësit. Rezultatet e gërmimit dëshmuan gjithashtu se deri sa romakët trokitën në portat e Dyrrah-ut, rrjeti urbanistik i qytetit kishte arritur në brigjet e Lagunës dhe kishte filluar të gëlltiste pjesën ujore të tyre nëpërmjet mbushjeve për sipërfaqe të reja ndërtimi. Me një shtrirje të tillë, qyteti i zmadhuar antik i mbretërve ilirë i kishte dhënë të drejtën vetes të pagëzohej me emërtesën gjeografike të vendit midis dy-rrahe-ve, përpara se të mbërrinin ushtritë e para romake. Ka qenë koha kur kultura ilire dhe helene investuan në ndërtimin e botës së asaj kohe, edhe të vetë Romës. Këtë e tregon qartë edhe rritja e Durrësit si qytet në shek.7–4 para Kr. drejt fushës të quajtur gjeografikisht Dyrrah, e ndarë dhe e dallueshme nga kërthiza Epidam.

Kështu kemi arritur në përfundimin, se gjatë shek. 4/3 para Kr. kanë qenë në përdorim të dy emrat – Epidam, që përcaktonte bërthamën e vjetër në pjesën e epërme të shpatit kodrinor të qytetit dhe Dyrrah për lagjet dominuese të ndërtuara në pjesën fushore të relievit drejt Lagunës. Siç tregoi edhe copa urbane e zbuluar në Lulishten 1 Maj, qyteti antik në shek. 3 para Kr. ishte zmadhuar aq shumë dhe shtrirë në vendin e quajtur gjeografikisht midis Dy Rraheve, sa bërthama e vjetër Epidam nuk përbënte më identitet sasior kundrejt arealit shumë më të madh që ai kishte zaptuar i identifikuar tashmë zyrtarisht me emrin e vendit Dyrrah (Dyrrachium – i latinizuar nga administrata romake).

*Gjergj Frashëri është arkeolog, restaurator dhe historian
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: