61-vjeçari Kozma Kukli, punonjësi i shërbimeve publike rrëfen për News24 çastet kur u dhunua nga dy të rinj në qytetin e Vlorës. I moshuari thotë se dy të rinjtë nuk i kanë dhënë shpjegime se çfarë problemi kishin me të, si dhe e kërcënuan që të mos njoftonte policinë.

“Isha te posta e Çoles duke bërë pazar, kur një furgon mallrash më preu rrugën. Zbritën dy djem rreth moshës 25-30 vjeç, të veshur me të zeza, dhe filluan të më godasin pa më thënë asnjë fjalë. Nuk më dhanë asnjë arsye dhe nuk kisha fuqi t’u ktheja përgjigje.”

Si pasojë e dhunës, 61-vjeçari Kukli pësoi 3 fraktura në kokë e fytyrë, si dhe ka dëmtime serioze në njërin sy.

“Tentuan të largoheshin, por u dola përpara bashkë me biçikletën time për t’i ndaluar. Atëherë më thanë: ‘Provo të marrësh policinë dhe të tregojmë ne. Ishte një sulm pa asnjë arsye. Mund të kenë qenë 100 vetë dëshmitarë aty pranë dhe askush nuk reagoi. Më parë nuk kam pasur asnjë kontakt me ta. Nuk i njihja fare”, tha ai.

Pas ngjarjes policia arrestoi dy të rinjtë që dhunuan punonjësin e shërbimeve publike, 37-vjeçarin Ermal Sakaj dhe 30-vjeçarin Klaudio Nurçaj, të dy me precedentë të mëparshëm penal. Ermal Sakaj rezulton i dënuar për “Plagosje të rëndë me dashje”, kryer me armë zjarri, ndërsa 30-vjeçari Nurçaj është dënuar për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb