Dy lëkundje të forta sizmike kanë goditur mesditën e kësaj të diele ishullin Evia në Greqi, duke shkaktuar panik te banorët dhe dëme materiale në disa zona të ndryshme. Tërmetet janë ndjerë gjithashtu edhe në Athinë dhe rajonet përreth. Sipas Institutit Gjeodinamik të Greqisë, lëkundja e parë është regjistruar në orën 12:58 me magnitudë 4.8 të shkallës Rihter dhe me thellësi rreth 5 kilometra. Vetëm pak minuta më vonë, zona është goditur nga një tjetër tërmet më i fortë me magnitudë 5.2, me epiqendër pranë zonës së Prokopit, në Evian veriore.
Autoritetet lokale raportojnë dëmtime në banesa në Prokopi dhe Dafnusa, ndërsa në disa segmente rrugore janë regjistruar edhe rrëshqitje dherash dhe gurësh. Deri më tani nuk ka raportime për persona të lënduar.
Kryebashkiaku i Mantudit, Janis Capurniotis, ka bërë të ditur se ekipet e emergjencës janë në terren për të verifikuar situatën dhe për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga lëkundjet.
Ndërkohë, sizmologët grekë kanë bërë thirrje për qetësi. Profesori i sizmologjisë Kostas Papazachos deklaroi se bëhet fjalë për një zonë me aktivitet të njohur sizmik dhe se nuk ka arsye për alarm të menjëhershëm.
Edhe sizmologu Athanasios Ganas theksoi se rajoni është i prirur ndaj tërmeteve deri në 5.5 ballë, por shtoi se është ende herët për të përcaktuar nëse tërmeti i dytë përbën lëkundjen kryesore. Mediat greke raportojnë gjithashtu dëme në disa objekte, përfshirë edhe kishën e Shën Gjergjit pranë Prokopit, ku në momentin e lëkundjeve po zhvillohej një ceremoni pagëzimi. Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe vlerësimin e pasojave në terren.
