ITALI- Një sasi e konsiderueshme droge e sekuestruar në brigjet italiane në mesin e tetorit të vitit të shkuar ka përfunduar e gjitha në ajër.
Mediat italiane shkruajnë sot se duke qënë se nuk ka pasur kapacitete dhe hapësira për ta ruajtur marijuana ka përfunduar duke u djegur në inceneratorin e Ferrarës, që shërben për të të prodhuar energji.
E gjithë ngjarja ka ndodhur dy javë më parë, ndërsa “La Nuova Ferrara” që ka publikuar lajmin shtron pyeten: “Nuk dihet nëse njësitë e kontrollit të ajrit në Ferrara të Italisë kanë regjistruar diçka të pazakontë dy javë më parë? Nuk po flasim për pluhurat e këqija që përhapen në qytete për shkak të ndotjes nga gazi, por për substanca të tjera: Ato të prodhuara nga djegia në furrat e inceneratorit të Cassanas”.

Mësohet se për të prodhuar energji janë djegur më shumë se 2 ton marijuanë dhe hashash, ngarkesë që sipas mediave italiane u sekuestrua në Lido, tetorin e vitit të kaluar. Droga në fjalë transportohej nga shqiptarët.
Sasia e madhe e marijuanës ka përfunduar në inceneratorin e Ferrarës për të prodhuar energji. Me sa duket policia nuk ka pasur mundësi për ta ruajtur në një vend të caktuar këtë sasi të konsiderueshme dhe ka zgjedhur ta djegë.
Duke mos e kursyer ironinë websajti lokal që ka publikuar shkrimin, sqaron: “Me siguri rreth dy javë më parë do jeni ndjerë disi ndryshe, mund të keni pasur marrje mendësh dhe e gjithë kjo e ka një arsye, në ajër kishte shumë tym”.
Sa i përket provave, hetuesit kanë ruajtur disa monstra të drogës për t’i përdoruar ato si prova kundër shqiptarit të vetëm të arrestuar, Rolando Rapaj nga Vlora.
Mësohet se prokurori i çështjes ka kërkuar që të riut t’i fiksohet edhe një seancë gjyqi për tu përballur me akuzat, në fillim të 2018-ës.
Deri më tani 19 vjeçari nga Vlora ka kyçur gojën dhe nuk ka treguar se çfarë roli kishte ai në grupin e trafikantëve të drogës, që u kap në Lido mbrëmjen e 17 tetorit.
I riu qëndron në paraburgim ndërsa akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, akuzë nga e cila mund të rrezikojë deri në 10 vite burg.
Pavarësisht kësaj, mediat italiane thonë se ai nuk ka pranuar të flasë dhe të bashkëpunojë me drejtësinë italiane për të zbuluar diçka më shumë në lidhje me sasinë rekord të drogës.
Sipas hetimeve fillestare të autoriteteve italiane, Rapaj mund të jetë pjesë e një organizate të madhe të trafikut. Hetimet e Karabinierëve në Ferrara dhe Comacchio kanë të gjitha një shpjegim, grupi mund të jetë në Shqipëri e prandaj me çështjen po merret edhe Drejtoria e Anti-mafias.
(m.a/BalkanWeb)
