Ka qenë një mundësi shumë e mirë dhe një përvojë shumë e vlefshme që në këto dy vite pune në institucionin e Prefektit të Qarkut, të shoh nga afër në gjerësi, por edhe në thellësi zhvillimet në të gjithë rajonin, rolin e pazëvendësueshëm të institucioneve publike në koordinimin e punëve në funksion të shërbimit sa më të mirë ndaj qytetarëve dhe punën e palodhur të njerëzve të përkushtuar ndaj biznesit, prodhimit, krijimtarisë apo mësimdhënies, ruajtjes së rendit e qetësisë publike.

Është mbresëlënëse sesi brenda një dite, një jave, muaji mund të takosh kaq shumë njerëz, të njohësh aq shumë probleme, përpjekje, zgjidhje e suksese. Është mundësi e shkëlqyer të mund të lexosh e të kuptosh sesi politika, në kuptimim më përmbajtësor të kësaj fjale, ndikon në jetën tonë duke krijuar mundësi, duke lehtësuar zhvillimet por jo rrallë edhe duke vështirësuar apo penguar.

Panorama pasurohet vazhdimisht me punë e ide që njerëzit e këtij rajoni i prodhojnë pa pushim, me kërkesa e pretendime të natyrshme e të larmishme, sikurse me preokupimin për realizime të bukura, të shëndetshme e argëtuese në art, kulturë e sport. Një ndërveprim shpesh i padukshëm i shoqërisë, njerëzve të punës, biznesit, institucioneve vendore të zgjedhura dhe çdo autoriteti tjetër publik i jep përditshmërisë sonë ritme e impulse të pafundme në llojshmëri dhe gjeneron pritshmëri të reja.

Klima dhe terreni shpesh spektakolare e pasurojnë edhe më tej. Nuk është gjithmonë e lehtë që në një mjedis të tillë zhvillimi e progresi, mes ideve, interesave dhe mundësive, të përcaktohet rruga më e mirë dhe afatgjatë e zhvillimit. Ndërkohë, është evidente tashmë në vështrimin makro, që turizmi dhe bujqësia janë dy drejtimet kryesore që plotësojnë por edhe plotësohen në realitetin e zonës sonë. Pa përjashtuar asesi asnjë burim, mundësi e orientim tjetër.

Rajoni ynë përbën një pjesë mjaft të rëndësishme të destinacioneve turistike në vend. Korça është tashmë e vizituar në çdo stinë, Pogradeci është i lidhur më së shumti me turizmin veror, ndërkohë që interesi i vizitorëve po orientohet edhe drejt natyrës e klimës malore të Kolonjës, Maliqit, Pustecit, por edhe Devollit.

Në të gjithë qarkun operojnë 225 struktura akomoduese (hotele dhe bujtina) me 5270 shtretër. Sigurisht, ky kapacitet duhet të jetë akoma më i madh në të ardhmen për të mundësuar arritjen e objektivit afatmesëm që qarkun tonë ta vizitojnë më shumë se 1 milionë turistë vendas e të huaj në harkun e një viti, e cila do të mund të bëhet realitet vetëm falë një oferte të integruar për zhvillimin e turizmit brenda rajonit, që ngelet sfida e re e të gjithë aktorëve institucionalë, operatorëve turistikë dhe bizneseve në fushën e turizmit.

Qarku i Korçës gjatë harkut kohor të 5 viteve të kaluara, ka përfituar mbështetje me investime të qeverisë që shkojnë rreth 100 milionë $ për të gjashta bashkitë, ku vlen për t’u përmendur edhe ndihma për agro-bizneset nëpërmjet programit të IPARD, me kontribut të kombinuar të qeverisë dhe BE-së. Këtu përfshihen jo vetëm bujtinat, por edhe ndihma për fermerët, duke nxitur prodhime që kanë “brand” qarkun tonë e duke diversifikuar ofertën në agroturizëm. Masat mbështetëse të Skemës Kombëtare 2024 të ofruara si mbështetje nga qeveria për fermerët dhe blegtorët e qarkut tonë, janë një subvencionim direkt që ul kostot dhe nxit rimëkëmbjen e tyre, pas përballjes me kushtet e vështira klimatike të vitit që lamë pas.

Arsimi para universitar është prioritet tjetër kryesor i qeverisë në qarkun tonë, për përgatitjen më të mirë të nxënësve për jetën akademike. Fokusi kryesor është rritja e cilësisë së institucioneve arsimore, konsolidimi i një trupe mësuesish të kualifikuar, stimulimi dhe rritja e rezultateve të nxënësve, si dhe infrastruktura në përmirësim dhe modernizim të vazhdueshëm. Zbatimi i projekteve të dixhitalizimit e teknologjisë në mësimdhënie, stimulimi dhe mbështetja për nxënësit me rezultate të larta, bashkëpunimi i shkollave të mesme me universitetin “Fan S. Noli”, nxitja dhe forcimi i arsimit profesional si një domosdoshmëri e kohës në tregun e punës, ngelen po aq prioritare.

Përgjatë këtyre dy viteve kemi realizuar kontakte në të gjithë territorin e qarkut me drejtues, specialistë të fushave të ndryshme, shumë sipërmarrës e fermerë, sikurse banorë dhe aktorë të spikatur në mesin e komuniteteve të qyteteve dhe zonave rurale, me kujdesin për të qenë në komunikim me sa më shumë njerëz, për të njohur e trajtuar problematika e për t’u pasuruar me ide.

Edhe si Parti Socialiste dhe me mbështetjen e qeverisë së Kryeministrit Rama, kemi motivimin e nevojshëm, përgjegjësinë politike, besimin dhe mbështetjen për të vazhduar pa kthim mbrapa në rrugën e progresit në të gjitha fushat.

Në fund, dëshiroj të shpreh se jam sinqerisht falënderues e mirënjohës për besimin dhe përkrahjen që kam ndjerë, sepse ky angazhim publik përveç të tjerave, më ka dhënë mundësinë të njoh shumë më mirë magjinë dhe potencialin e qytetit të lindjes, Korçës, por edhe të të gjithë trevës sonë me njerëz të mrekullueshëm të punës dhe arritjeve të suksesshme në çdo fushë.

 

*Prefekt i Qarkut të Korçës

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb