Një investigim i gazetës The New York Times ka zbuluar se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbikëqyri hartimin e një memorandumi sekret për marrëdhënien e CEO-s së Nvidia-s, Jensen Huang, me Alice Huang, një shtetase kineze që dyshohet nga inteligjenca amerikane se punonte për shërbimet sekrete të Pekinit.
Gruaja ishte drejtuese në kompaninë Megaspeed, me seli në Singapor, e cila kishte blerë procesorë të avancuar të Nvidia-s me vlerë rreth 2 miliardë dollarë. Autoritetet amerikane dyshojnë se kompania ka ndihmuar në transferimin e paligjshëm të këtyre pajisjeve drejt Kinës, në shkelje të kufizimeve të eksportit.
Sipas gazetës, Donald Trump ishte informuar për çështjen rreth një vit më parë, por nuk ndërmori veprime. Madje, ai kërkoi që Huang t’i bashkohej delegacionit amerikan gjatë vizitës në Kinë, pavarësisht shqetësimeve të zyrtarëve të administratës.
Skandali u bë edhe më i bujshëm pasi Jensen Huang pranoi se kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me Alice Huang. Ai u kërkoi falje bashkëshortes dhe fëmijëve, ndërsa Nvidia njoftoi nisjen e një hetimi të brendshëm.
Kompania deklaroi se nuk ka arsye të besojë se informacionet konfidenciale apo siguria kombëtare janë komprometuar.
Çështja ka ngritur pikëpyetje mbi marrëdhëniet mes industrisë amerikane të teknologjisë, interesave ekonomike dhe sigurisë kombëtare, ndërsa dyshimet për aktivitetin e kompanisë Megaspeed mbeten objekt hetimi.
