Vrasja e biznesmenit durrsak Leonard Murati është kryer me pagesë. Hetimet flasin se urdhëruesit paguan 25 mijë euro për ekzekutimin e tij, e duket se pas arrestimit të dy të dyshuarve si vrasës me pagesë, po hidhet dritë mbi krimin e rëndë. Leonard Murati, u ekzekutua me 6 plumba në kokë, mbrëmjen e 18 nëntorit 2014.

Ngjarja ndodhi në derën e lokalit të tij, “Bar Center”, në qendër të Durrësit. Disa ditë pas ngjarjes, policia bëri me dije se kishte identifikuar dhe shpallur në kërkim njërin prej ekzekutorëve të 50-vjeçarit Leonard Murati. Sipas policisë, ai është Bedri H., nga fshati Zezë i Niklës, në Krujë. Që në krye të herës u tha se në vrasjen e Muratit morën pjesë të paktën dy persona. Ndaj, njëri prej të arrestuarve i ditëve të fundit, dyshohet të jetë ekzekutori direkt i Muratit.

Hetuesit thonë se ai ka marrë shumën prej 25 mijë eurosh dhe goditja ka ardhur pas një urdhri të ardhur nga një burg i sigurisë së lartë. Dëshmitarët atëkohë thanë se viktima e njohu ekzekutorin, pasi ai ishte i pamaskuar, çka dëshmon për njohje të mëparshme mes tyre. Por, pavarësisht kësaj, ai e qëlloi gjakftohtë në derën e lokalit dhe u largua krejt qetësisht. Ndonëse është shumë herët për të folur për motive për hetuesit, duket se nuk ka shumë dilema, pasi dyshohet për larje hesapesh. Deri më tani, lidhur me këtë ngjarje të rëndë kriminale, prokuroria ka siguruar dëshminë e të penduarit A.G.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb