KOSOVË-Mediat serbe kanë raportuar se Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona me inicialet F. B, I. F, dhe S. L., nën dyshimin për përgatitje të sulmeve terroriste në Serbi.
Sipas agjencisë së lajmeve “Alo”, shkrim i shpërndarë nëpër media të ndryshme, zyrtarët policorë të Kosovës arrestuan këta persona pasi ishin kthyer nga Siria dhe ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë për bashkëpunim me ISIS-in, transmeton KosovaPress.
Sipas këtyre raportimeve, ata u arrestuan pasi po themelonin celula terroriste në Kosovë.
Vendbanimet e këtyre personave thuhet të jenë Prishtina, Gjilani dhe Ferizaji, ndërsa thuhet se gjatë arrestimit atyre u është gjetur municion dhe armë.
Sipas kësaj agjencie, më i përgatituri nga këta të arrestuar ishte personi me inicialet F.B.
“Ai së pari kishte kryer trajnime praktike dhe teorike dhe më pastaj i ishte dhënë armatimi dhe një pozicion në beteja të armatosura. Më vonë ishte promovuar në lider të një skuadre prej 11 ushtarësh, me shumicë nga Kosova”, citohet të ketë thënë një burim brenda zyra e Prokurorit dhe e Hetimeve të Veçanta.
Personi me inicialet F.B për të cilin raportojnë këto media, mund të jetë i njëjtë ndaj të cilit dje Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë për lidhje me terrorizëm.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dje njoftoi se ndaj personit nga Gjilani F.B është ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Gjilan it për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist, nga neni 143 par. 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri F.B. nga muaji shkurt 2015 e gjer në dhjetor të vitit 2015, kur është kthyer në Republikën e Kosovës, ka qëndruar në Siri, ku iu është bashkangjitur organizatës terroriste “ISIS”. Fillimisht në Siri, i pandehuri F.B. iu ka nënshtruar trajnimeve teorike dhe praktike për përdorimin e armëve dhe bombës së dorës. Pas përfundimit te trajnimit është ngarkuar me armë zjarri AK 47, katër karikator të mbushur nga 30 plumba dhe me uniformë ushtarake pa emblemë.
(d.d/BalkanWeb)
