Një kirurge italiane, e cila kthehet në Itali nga Republika Demokratike e Kongos, do të vendoset nën vëzhgim mjekësor pasi ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me një rast të dyshuar të virusit Ebola në Afrikë.

Ministria italiane e Shëndetësisë bëri të ditur se mjekja nuk paraqet simptoma të sëmundjes, por sipas protokolleve shëndetësore do të karantinohet për arsye sigurie dhe monitorimi.

Sipas autoriteteve, më 16 maj një fëmijë i plagosur nga lufta në Republikën Demokratike të Kongos iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe më pas u testua për Ebolën, çka ngriti alarmin për kontaktet e mundshme me virusin.

Megjithatë, Ministria italiane e Shëndetësisë theksoi se aktualisht nuk ka raste të konfirmuara të Ebolës në Itali dhe se rreziku për përhapjen e sëmundjes mbetet shumë i ulët.

Ndërkohë, situata në Republikën Demokratike të Kongos vazhdon të jetë shqetësuese.

Mungesa e infrastrukturës dhe kushtet e vështira po pengojnë përpjekjet për të frenuar epideminë, sipas punonjësve të shëndetësisë dhe organizatave humanitare në terren.

Qeveria në Kongo ka raportuar rreth 930 raste të dyshuara dhe afro 220 viktima që besohet se lidhen me shpërthimin e epidemisë, e cila është shkaktuar nga një lloj virusi për të cilin ende nuk ekziston vaksinë apo trajtim specifik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: