Autoritetet qipriote kanë arrestuar një shtetas nga Libani, i dyshuar si anëtar i Hamasit dhe i kërkuar nga Gjermania për përfshirje në furnizimin me armë dhe municione për sulme terroriste. Sipas raportimit të Reuters, që citon Zyrën e Prokurorit Federal Gjerman, i dyshuari është identifikuar vetëm si Kamel M. dhe u arrestua në Aeroportin e Larnakës më 6 mars, menjëherë pas mbërritjes së tij nga Libani.
Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti evropian, ndërsa të dielën autoritetet kryen edhe një kontroll në apartamentin e tij në Berlin.
Sipas hetimeve, i arrestuari dyshohet se ka organizuar në gusht 2025 transportin e rreth 300 fishekëve, të cilët u dorëzuan te bashkëpunëtorë të tjerë përmes një personi të identifikuar si Mohamed S., i arrestuar në janar të këtij viti në kuadër të të njëjtit hetim.
Sipas televizionit publik gjerman ARD, autoritetet besojnë se armët po grumbulloheshin për sulme vdekjeprurëse ndaj institucioneve izraelite ose hebraike në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës.
Pas arrestimit në Qipro, Kamel M. pritet të ekstradohet në Gjermani, ku do të paraqitet para gjyqtarit hetues në Gjykatën Federale të Karlsruhe.
