Kristjan Asllani vendosi të ndryshojë ambjent, duke kaluar nga Interi tek Torino. Pas 3 viteve në Milano me fanellën zikaltër veshur, Asllani u huazua te skuadra “granata”, ku pas disa ndeshjeve të para positive, duket se këto ndeshjet e fundit nuk ka bindur mjaftueshëm.

E ardhmja e Kristjan Asllanit në Torino nuk është e garantuar. Për shqiptarin pjesa e mbetur e sezonit 2025-2026 do të shërbejë si një periudhë prove ku drejtuesit e Torino-s do të vlerësojnë nëse do të shpenzojnë për të bërë të vetin lojtarin apo ta kthejnë në Milano pas përfundimit të huazimit.

Sa i përket numrave Asllani në 11 javë ka luajtur në 9 takime prej të cilave 7 i ka nisur nga minuta e parë. Mesatarisht ai ka luajtur 68’ për ndeshje ndërsa në total ka qëndruar në fushë për 612’. Sa i përket lojës me top ai mesatarisht për ndeshje prek topin 45.8 herë. saktësia në pasim është 92% në gjysmëfushën e vet.

Të gjithë këto numra duket se nuk kanë bindur presidentin e Torino-s që të bëjë hapin e madh për të blerë përfundimisht kartonin e lojtarit verën e ardhshme. Urbano Cairo mbi këtë temë tha: “Asllani ka bërë shumë mirë me Kombëtaren e tij pasi ka shkuar edhe në play-off. Kundër Juves zhvilloi një pjesë të dytë shumë të mirë. Ka shënuar edhe gol dhe është një lojtar që na pëlqen. A do ta blejmë? Ende nuk është mbyllur 1/3 e kampionatit duhet ta shikojmë ende në aksion. Ai duhet që të konfirmohet për të na shtyrë që ta blejmë”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb