Në vigjilje të kualifikuesve “Rusi 2018”, Gianni De Biasi buzëqesh, por jo plotësisht. Trajneri i Kombëtares i gëzohet fakti që sulmuesit e tij po kalojnë një moment mjaft të mirë në këtë fillim sezoni. Duke nisur nga Sadiku, Shkëlzen Gashi, Bekim Balaj dhe Rey Manaj, kush më shumë e kush më pak, vazhdojnë të ketë një marrëdhënie të mirë me golin.

Katër gola në gjashtë ndeshje, Armando Sadiku po e vazhdon aty ku e la, të shënojë rregullisht për Zyrih. Fundjava ishte perfekte edhe për pjesën tjetër të ofensivës kuqezi. Gashi shënoi një gol tipik prej sulmuesi, ndërsa Balajt i ka bërë mirë transferimi në Premier League ruse. Të dielën, Balaj shënoi golin e dytë në po aq ndeshje.

Rey Manaj kompletoi mbrëmë tablonë pozitive të sulmit kuqezi, duke shënuar golin e parë në Serie A me fanellën e Pescaras.
De Biasi nuk mund të bëjë gjë tjetër vetëm ti gëzohet këtij fakti por ndërsa zbret tek pjesa tjetër e ekipit, aty problemet janë jo të pakta. Etrit Berisha, gardiani kuqezi, portieri i cili gjithnjë ka dhuruar siguri për prapavijën, vazhdon të mos luajë qoftë dhe 1 minutë. Berisha as që është grumbulluar nga trajneri Simeone, fakt shqetësues sigurisht. Duke kaluar tek pjesa tjetër e mbrojtjes, Hysaj dhe Agolli janë të “paprekshëm”, edhe pse shkodrani i Napolit nuk la një shije të mirë kundër Milanit.

Problemi më i madh duket qendra e mbrojtjes, dorëheqja e Canës apo largimi i Rrahmanit e kushtëzojnë shumë De Biasin në zgjedhje, mbi të gjitha pas dëmtimit të Ajetit. Mërgim Mavraj duke titullari i vetëm që ka 90 minuta në këmbë, ndërsa Veseli dhe Gjimshiti ende nuk e kanë provuar shijen e futbollit të luajtur.

Mesi i fushës është reparti më i kompletuar që De Biasi ka në dispozicion, aty problemi i vetëm është zgjedhja. Shumë nga këto pikëpyetje do të marrin përgjigje në ndeshjen miqësore kundër Marokut, një test i rëndësishëm për të parë në fushë gjendjen e ekipit.
(er.shk/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb