Ditën e sotme në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” u trajtua një ngjarje e rëndë dhune në familje, e ndodhur vetëm pak ditë më parë në fshatin Agim të Fierit. Një konflikt brenda familjes ka degraduar në dhunë fizike, ku djali i familjes Dele ka ushtruar dhunë ndaj babait dhe motrës së tij, duke tronditur jo vetëm familjarët, por edhe komunitetin përreth. Pas denoncimit të menjëhershëm, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier kanë ndërhyrë duke bërë arrestimin në flagrancë të 31-vjeçarit me inicialet A. D., banues në këtë fshat. Sipas burimeve, i riu akuzohet se ka ushtruar dhunë të përsëritur ndaj familjarëve të tij, ndërsa aktualisht ndodhet në pranga në pritje të veprimeve të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me shkaqet e kësaj ngjarjeje.

Dyshohet se konflikti ka lindur për shkak të mosmarrëveshjeve familjare lidhur me bashkëshorten e 31-vjeçarit, një shtetase italiane, të cilën familja nuk e ka pranuar. Kjo situatë duket se ka sjellë përplasje të vazhdueshme, që me kalimin e kohës kanë agravuar deri në dhunë fizike. Redaksia e emisionit “Me Zemër të Hapur” e moderatores dhe autores, Evis Ahmeti, ka zhvilluar një intervistë ekskluzive me babain e të arrestuarit, i cili ka dhënë detaje tronditëse mbi jetesën e tyre në familje. Ai rrëfen se djali i tij ka qenë prej kohësh një rrezik i vazhdueshëm për jetën e tyre, duke krijuar një klimë frike dhe pasigurie. Sipas tij, situata kishte arritur në atë pikë sa familjarët detyroheshin të bënin gjumin me radhë, për të ruajtur njëri-tjetrin nga ndonjë akt i mundshëm dhune.

“Na erdhi, na goditi, na ofendoi. Po e thirrëm ne policinë. Kishte një muaj që kishte ardhur djali nga Italia. Nusja e tij nuk ishte këtu. Erdhi në datën 28. Djali erdhi më kapi prej fyti, më dhunoi. Dhunoi dhe vajzën. Djali ka nja 7 vite bashkë me atë italianen. Nuk na tha gjë djali ku e pruri te ne. Po bën 12 vite që jeton në Itali. Jeton me atë italianen, pasi la gruan e vetë me fëmijë. Me matësen e parë ka një djalë. Nuk flet fare me ish-nusen dhe s’ka marrëdhënie me të. Kur ishte gruaja ime sëmurë, ma nxorën jashtë nga shtëpia. Kur i thash unë djalit; pse më gënjen, ai u nxeh. I tha vajzës; dil përjashta. E shtyu vajzën, gruaja hyri në mes. Ai mu vërsul mua prej fyti. Italiania e ndezi sherrin me vajzën. Banesa është në emrin tim dhe të gruas dhe vajza jeton me ne. Ajo italiania pi lëndë narkotike. Dhe ajo ja ka mësuar djalit lëndën narkotike. Djalin nuk e pranoj më. Është i dhunshëm. Flinim me radhë gjumë. Kështu ka qenë i dhunshëm. Gruan e parë nuk e dhunonte ai.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: