Mbrojtësi kuqezi, Arlind Ajeti u shpreh pas ndeshjes së fituar minimalisht 0-1 ndaj Andorrës, se e dinin që do ishte e vështirë. Sipas tij, merita për faktin që skuadra ka pësuar pak gola në kualifikuese është e gjithë prapavijës.
“E prisnim një ndeshje të tillë, është kundërshtar i papërshtatshëm për të luajtur. Duhet të ishe gjithmonë gati për gjithçka. Edhe pse 1-0 kemi bërë mjaft mirë. Ndaj Anglisë, do të jetë ndeshje komplet ndryshe. Do të bëjmë analizë, kemi dy ditë kohë. Kryesore është që arritëm play off-in. Do të marrim seriozisht edhe ndeshjen ndaj Anglisë.
Vetëm 3 gola të pësuar? Të gjithë lojtarët kanë punuar shumë në aspektin difensiv. Gjimshitin kam 17 vite që e njoh. Jemi shok që shumë vite.
Në Kombëtare ndihem gjithmonë krenar, që jam pjesë e këtij grupi dhe që mund të përfaqësoj gjithë shqiptarë. Do jap gjithmonë maksimumin edhe në ndeshjen e fundit.
Sot kishim vështirësi sepse Andorra mbyllej shumë mirë. Kishim qetësi dhe prisnim momentin e duhur, jemi të kënaqur me 1-0, por kemi shumë gjëra për t’u përmirësuar”, u shpreh Ajeti.
