Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka miratuar dy programe model të Transparencës për autoritetet publike dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përmbushje të detyrimeve ligjore që rrjedhin nga ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar.
Programet model të Transparencës përbëjnë instrumente thelbësore të transparencës proaktive, duke garantuar aksesin e publikut në informacion dhe dokumentacion me karakter publik, reduktuar nevojën për paraqitjen e kërkesave individuale për informacion dhe rritur nivelin e llogaridhënies institucionale të autoriteteve publike.
Vlerësimi i kuadrit ekzistues rregullator ka treguar se modelet e mëparshme kanë qenë funksionale dhe të suksesshme në organizimin e rubrikave dhe nënrubrikave të informacionit.
Megjithatë, zhvillimet e mëvonshme ligjore dhe institucionale, përfshirë miratimin e Konventës nr. 205 të Këshillit të Evropës, ndryshimet ligjore në fushën e të drejtës së informimit, konsolidimin e praktikave të zbatimit të ligjit për të drejtën e informimit, si dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian, kanë krijuar nevojën për përshtatje dhe konsolidim të mëtejshëm të këtyre modeleve.

Programi model i Transparencës për njësitë e vetëqeverisjes vendore parashikon përfshirjen e një fushe të re të dedikuar për veprimtarinë e Këshillave Bashkiak si një nga organet më të rëndësishme të NJVV-ve, si dhe zbatimin e këtij modeli edhe nga këshillat e qarqeve, me qëllim forcimin e transparencës së procesit të vendimmarrjes në nivel vendor.
Miratimi i këtyre programeve model konsolidon përvojën pozitive të zbatimit të deritanishëm të transparencës proaktive, rrit përdorueshmërinë e informacionit publik dhe e shndërron transparencën në një instrument më efektiv në shërbim të qytetarëve, shoqërisë civile, medias dhe institucioneve publike.
