BalkanWeb ka siguruar foto të pa publikuara më parë të 24-vjeçares palestineze Rayyan Alwan e cila u vra brutalisht nga babai i saj.
Miqtë e saj të cilët kanë kontaktuar me redaksinë tonë, na kanë vënë në dispozicion foto të 24-vjeçares, historia e së cilës deri tani ishte një enigmë me shumë të panjohura.
Prej më shumë se një muaji ata ishin në kërkim të 24-vjeçares me të cilën kishin humbur kontaktet, por ka qenë një lajm i publikuar nga BalkanWeb ai që i ka ndihmuar të zbulojnë fatin tragjik të mikeshës së tyre.
Sipas tyre, 24- vjeçarja ishte nënë e dy fëmijëve dhe ishte e divorcuar nga bashkëshorti, pasi ky i fundit abuzonte me të dhe e dhunonte.
Ata bëjnë me dije se fillimisht nëna e saj ka njoftuar se e bija ka humbur jetën në një aksident automobilistik, por se një gjë e tillë nuk është besuar prej tyre për shkak të dijenisë që kishin mbi konfliktet familjare.
“Ajo u largua nga Berlini më 19 shkurt 2025 dhe deri më 21 shkurt 2025, ne humbëm çdo kontakt me të. E kërkuam dhe kontaktuam me të gjithë të njohurit, por nuk gjetëm asnjë informacion derisa nëna e saj njoftoi vdekjen e saj më 28 mars 2025, duke pretenduar se kishte vdekur në një aksident automobilistik në Gjermani.
Megjithatë, ne nuk e besuam këtë, pasi nuk gjetëm prova se ajo ishte ende në vend. Pasi kërkova në internet, gjeta një raport policie nga autoritetet tuaja që konfirmonte se ajo ishte vrarë”, thuhet në reagimin për BalkanWeb.
Ata pretendojnë se plani për vrasjen e 24-vjeçares u bë nga nëna dhe babai i saj.
