VLORË- “BalkanWeb” mëson të shkuarën e errët të Elton Ismailit, pronarit të mjetit që iu vu tritol mbrëmë në Vlorë, i cili deklaroi sot se nuk e dinte arsyen, as nuk e kishte haberin kush ishin autorët e këtij akti.
Një ditë pas kësaj ngjarje “BalkanWeb” mëson se familja e tij është tronditur nga disa krime. Në vitin 1997 Ismailt i kanë vrarë vëllanë, ndërsa vite më vonë, në 2006 i kanë vrarë dajën dhe një vit pas tij, ne vitin 2007 i kanë vrarë motrën.
“BalkanWeb” mëson se motra e tij Enkelejda Ismaili ka qënë gjashtëmuajshe shtatzënë në momentin kur është vrarë dhe për këtë krim të ndodhur në zonën bregdetare të Jonufrit në Vlorë u shoqërua si i dyshuar, Elton Ismaili.
Pasi është marrë në pyetje për 12 orë, pas paraqitjes së tij në komisariat, i riu është liruar, ndërsa ka dhënë shpjegime dhe alibitë që dispononte. Ismaili është mbrojtur duke thënë se gjendej në Itali për pushime dhe kjo është vërtetuar nga hyrja dhe dalja në portin e Vlorës.
Në këtë mënyrë, dyshimet për përfshirjen në krim janë zbehur, ndërsa grupi hetimor ndoqi pistën e vrasjes së 21-vjeçares dhe nen hetim u vu një inspektor krimesh me të cilin ajo ka pasur një lidhje, fryt i së cilës ishte edhe fëmija që ajo priste.
Sakaq mësohet Elton Ismaili është edhe njëri nga të arrestuarit për pengmarrjen e nipit të biznesmenit Sulo Shehut, në vitin 2003, dhe ka vuajtur dënimin në burgun e Rrogozhinës.
(BalkanWeb)
