KORCE- Ka ndryshuar dëshminë e saj, 24-vjeçarja nga Korça, Vjollca Shkëmbi. Ndonëse herën ajo tha se e donte Urim Qazimajn, i cili u arrestua bashkë me dajën e tij për rrëmbim personi; kësaj herë dëshmon tjetër gjë. Shkëmbi thotë se njerëzit e Urim Qazimajt e kërcënuan, dhe e mbajtën peng për 7 ditë në një banesë në fshatin Pojan të Korçës, nga i ati i njërit prej të arrestuarve.

Sipas policisë pengmarrja ka pasur qëllim përgënjeshtrimin e kallëzimit penal.

Ngjarja
Më 24 dhjetor, policia e Korçës arrestoi dy persona, arrestoi Urim Qazimaj dhe Mersin Myrtollari, të akuzuar për rrëmbimin e 24-vjeçares, dhe shitjen e saj në Maqedoni për 400 euro.

Sipas policisë, dy të arrestuarit Urim Qazimi, 23 vjeç, dhe Mersin Myrtollari, 50 vjeç, në bashkëpunim me njëri­tjetrin, më 23 dhjetor në fshatin Dobranj, ­Devoll, kishin rrëmbyer forcërisht, për qëllim fitimi, nga banesa e saj, shtetasen V.Sh, 24 vjeç.

“Nga hetimet e kryera, rezultonte se shtetasi Urim Qazimaj, e ka shitur disa herë 24-vjeçaren, në Maqedoni, në persona të ndryshëm, në këmbim të përfitimit material prej tyre (shumës prej 400 Euro) Urim Qazimaj, kishte qëllim sërish, që të kalonte së bashku me 24-vjeçaren, në shtetin Maqedonas”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pas kësaj, Qazim Qazimaj, 52 vjeç, i ati i Urim Qazimajt njërit prej të arrestuarve dyshohet se ka mbajtur peng vajzën për 7 ditë me qëllim që djali i tij të dilte nga burgu, si edhe vajza me inicialet V.SH, të përgënjeshtronte kallëzimin e datës 24.12.2015.

“Arrestimi i Qazim Qazimaj u bë pasi, dyshohet se nga data 27.12.2015 deri në datën 02.01.2015, ka mbajtur në banesën e tij, shtetasen V.SH, 24 vjeç, me qëllim që djali i tij, shtetasi Urim Qazimaj të dilte nga burgu, si edhe shtetasja V.SH, të përgënjeshtronte kallëzimin e datës 24.12.2015″ informon policia e Korçës.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: