Deputeti Agron Gjekmarkaj, ka pasur sot një debat me kryetaren Mimi Kodheli në Komisionin për Politikën e Jashtme ditën e sotme, ndërkohë që po diskutohej në lidhje me kandidatët për ambasadorë jashtë vendit.
Ndërkohë që po vlerësonte figurën e zonjës Majlinda Frangaj, kandidate për ambasadore pranë Selisë së Shenjtë, Gjekmarkaj tha se do të thoshte disa të vërteta, siç thoshte Krishti.
Kjo ka bërë që Kodheli t’i përgjigjej se po e ngrinte “shumë piacën”.
“As e ngre e as e ul, kjo është piaca ime. Të lartë dhe të panegociueshme e kam”, ka deklaruar Gjekmarkaj.
Pjesë nga diskutimi:
Gjekmarkaj: E vërteta të bën të lirë pat thënë Krishti dhe e drejta shkon tek ai që e mbron më mirë atë, thoshte Eskili në tragjeditë e veta.
Mimi Kodheli : E ngrite shume piacën , Krishti, Eskili….
Gjekmarkaj: Piaca ime, të lartë dhe të panegociueshme e kam.
Le të pohojmë në këtë sallë se Vatikani është një nga mbështetësit historikë të kombit shqiptar përgjatë shekujve. Ai ishte mbështetësi shpirtëror politik dhe ekonomik i luftërave të Skënderbeut.
Pikërisht ai mbështeti humanistët e mëdhenj Barleti e Beçikemi që mbajtën gjallë kujtimin e heronjve dhe të rezistencës. Budi, Bogdani, Bardhi, Kazazi aty e gjetën vatrën dhe rrugën. Në ato biblioteka kemi kujtesën dhe ADN-në e identitetit europian, librat dhe gjuhën. Koncili i Arbërit i Merqisë së Lezhës, një arqipeshkev të Tivarit pat për organizator dhe Papën Klementi me gjak shqiptar për nun, po ashtu edhe Rilindja Kombëtare, arbëreshe e françeskane të Shkodrës deri te Fishta.
Një tjetër Papë na mbrojti Korçën e Gjirokastrën nga shkëputja. Mbështetje në ditë të errëta dhe në ditë më të mira. Unë nuk i ndaj kurrë shqiptaret sipas fesë, nuk e kam kulturën e diferencimit, por një gjë bie në sy, në diplomacinë shqiptare s’ka e s’ka patur një Gjon, një Gjin, një Mark, një Llesh, një Zef , një Fran e pra nuk janë emra arkaik sa mund të tingëllojnë, janë thjeshtë të tillë prej 2 mijë vitesh thjeshtë shqiptare të pandryshuar. Besoj sa të tjerët janë të zotët. Në këtë kontekst më duhet të pohoj të paktën mirë që në Vatikan u caktua një ambasadore “katolike”. Nuk do të merresha kurrë me një çështje të tillë nëse nuk do të ishte kaq e prekshme mungesa dhe kaq e qartë aq sa njerëzit kudo ne Shkodër, Lezhë e Mirditë më pyesin pse dhe s’kam asnjë përgjigje!
(BalkanWeb)