Presidenti i SHBA, Donald Trump bëri dje një postim kundër Elon Musk, duke reaguar pasi bosi i Tesla njëherazi njeriu më i pasur në planet, njoftoi krijimin e një partie politike të quajtur “Partia e Amerikës”.
Pasi e përshkroi vendimin e manjatit për të krijuar parti të re si “qesharake”, duke kujtuar se Partia Republikane është shumë e suksesshme, shefi i Shtëpisë së Bardhë bëri një postim në Truth Social ku deklaroi se ish-aleati i tij “ka dalë nga binarët”.
“Jam i trishtuar teksa shoh Elon Musk të dalë nga binarët dhe të shkojë drejt një katastrofe të plotë gjatë pesë javëve të fundit. Ai madje dëshiron të krijojë një parti të tretë politike, edhe pse ato nuk kanë pasur kurrë sukses në Shtetet e Bashkuara – Sistemi nuk duket se është projektuar për to. E vetmja gjë në të cilën partitë e treta janë “të mira” është të shkaktojnë kaos dhe kaos të plotë, dhe ne tashmë kemi mjaftueshëm prej kësaj me demokratët e së majtës radikale, të cilët kanë humbur si besimin ashtu edhe mendjen e tyre. Republikanët, nga ana tjetër, janë një “makinë” e rregulluar me kujdes, pasi sapo kanë miratuar projektligjin më të madh të këtij lloji në historinë e vendit tonë. Është një projektligj i shkëlqyer, por për fat të keq për Elonin, ai shfuqizon mandatin qesharak të EV-ve (Makina elektrike), i cili do të kërkonte që çdo qytetar të blinte një makinë elektrike brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore. Isha shumë kundër tij që nga fillimi. Tani, njerëzit mund të blejnë çfarë të duan – makina me benzinë, hibride (të cilat po shkojnë shumë mirë) ose teknologji të reja ndërsa ato vijnë. Nuk ka më një dispozitë të detyrueshme për EV-të (Electric Vehicle)”, shkroi Trump.
Ndërsa Elon Musk, zgjodhi t’i përgjigjej me një ton të zymtë postimit të presidentit amerikan duke i atribuar motive personale kritikave të tij ndaj projektligjit tatimor “të madh dhe të bukur” të qeverisë. “Çfarë është Truth Social? As që kam dëgjuar për të”, komentoi pronari i X duke iu referuar platformës së rrjeteve sociale të Trump, ku u publikua edhe mesazhi i tij i fundit tejet i ashpër.

(BalkanWeb)
