Problemet që lidhen me shëndetin mendor janë ende një tabu për shoqërinë shqiptare. Edhe më e theksuar kjo është në zonat rurale ku njerëz të tillë përjashtohen.

Një histori mjaft prekëse vjen nga një fshat i Pogradecit ku nëna e dy fëmijëve, vetëm 27 vjeç, është braktisur nga bashkëshorti vetëm sepse pas lindjes pati luhatje emocionale. Për shkak të këtij problem ai e ktheu në derën e prindërve të moshuar dhe të sëmurë dhe nuk e lejon të takojë fëmijët duke përkeqësuar në këtë formë gjendjen e saj.

Në studion e emisionit “Me zemër të hapur” të gazetares Evis Ahmeti në News24 ishte motra e 27-vjeçares e cila tregoi të gjitha peripecitë.

“Motra ime u martua me mblesëri. Ai ishte djalë shumë i mirë dhe po kalonin mirë. Pasi lindi fëmijën e parë ajo pati probleme, ndryshime humori dhe ne e trajtuam tek mjeku dhe e mori veten, por u vështirësua situata me fëmijën e dytë”, tha motra e nënës së re, teksa tregoi më tej se ajo ishte martuar që 17 vjeçe.

“Sepse ne na pëlqeu ky djalë dhe u martua me dasmë shumë mirë. Mblesërinë e bëri kunati jonë, na i prezantoi dhëndrin. U martuan, dhe shumë shpejt ngeli shtatzënë. Pa bërë ende 18 vjeç. Lindjen nuk e priti mirë. Rrinte e hutuar dhe ne e çuam tek mjeku i cili tha që ajo ka probleme, por jo serioze. Mjeku na sugjeroi të mos lindte fëmijë të dytë sepse gjendja e saj do përkeqësohej. Na tha se duhet të kalojnë më shumë se 10 vite. U trajtua dhe e mori veten ishte shumë mirë. Por ajo pas 5 vitesh ngeli përsëri shtatzënë dhe lindi djalin e dytë. I thamë kunatit a mban përgjegjësi për këtë gjë, dhe ai tha do mbaj unë përgjegjësi për bashkëshorten time. Bëj çfarë të dua unë tha. Kur lindi pati sërish probleme. Për Shën Valentin unë e çova tek bashkëshorti kaloi mirë, pastaj u ndje keq tha burri dhe fëmijët nuk më duan. Mjekja na tha që fëmijët dhe bashkëshorti t’i rrinë afër që të shërohet sa më shpejt”, tregoi ndër të tjera motra.

Në një komunikim jashtë kamerave bashkëshorti i 27-vjeçares pretendon se ajo i takon fëmijët dhe flet çdo ditë në telefon. Ai mohon që mjekja t’i ketë thënë që mos të bëjë fëmijë të dytë.

Ndërsa motra e saj, tha se ajo ishte sjellë në shtëpinë e prindërve me forcë dhe bashkëshorti ia rrëmbeu dhe fëmijën nga krahu.
“Burri e mori motrën, e tërhoqi zvarrë, e hodhi nga makina dhe e la në shtëpinë e babait. Ajo kishte fëmijën 4 vjeç e gjysme në krahë. Ja hoqi me dhunë djalin nga krahët”, tha motra duke apeluar për ndihmë ligjore për të drejtën e nënës së dy fëmijëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb