Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Angli, ku një i ri shqiptar ka humbur jetën pasi është qëlluar me thikë. Sipas BBC, viktima është Lorik Abazi, 22 vjeç, i cili u sulmua me thikë ditën e diel në zonën e Croydon.
Mediat britanike raportojnë se në lidhje me ngjarjen janë arrestuar dy vajza 25 vjeç dhe një 28-vjeçar, të dyshuar për përfshirje në incident. Njëra prej vajzave është lënë e lirë me kusht.
Po ashtu, dy të rinj 21 vjeç u gjetën me plagë të shkaktuara nga mjete prerëse dhe janë arrestuar me dyshimin për përleshje. Njëri prej tyre ka pësuar lëndime që mund të jenë kërcënuese për jetën dhe ndodhet në spital, ndërsa tjetri është marrë në paraburgim pasi është liruar nga spitali.
Rrethanat e plota të ngjarjes nuk janë bërë ende të ditura. Autoritetet britanike u kanë bërë thirrje qytetarëve që kushdo që ka informacion, pamje apo filmime që mund të ndihmojnë hetimet, t’i vërë ato në dispozicion të policisë.
