Një trup i pajetë është gjetur në rrjedhën e lumit Shkumbin nga një peshkatar i zonës. Policia ka rrethuar zonën dhe për nxjerrjen e kufomës po kërkohet ndihma e polumbarëve.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme jo shumë larg nga qendra e qytetit të Elbasanit, pranë zonës së Katundit të Ri.

Trupi është konstatuar rastësisht nga një peshkatar amator i cili njoftoi menjëherë banorët përreth dhe më pas autoritetet. Sipas burimeve nga vendngjarja, kufoma ndodhet aktualisht në zonën pranë ish-Metalurgjikut, një territor i vështirë për t’u arritur dhe me qasje të kufizuar.

Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë rrethuar perimetrin, duke ndaluar hyrjen e qytetarëve në zonë për të garantuar sigurinë dhe ruajtjen e provave.Për të nxjerrë trupin nga lumi, është kërkuar asistenca e polumbarëve dhe shërbimit zjarrfikës të Elbasanit të cilët janë në veprim për të mundësuar tërheqjen dhe transportimin e trupit drejt morgut të spitalit rajonal.

Mësohet se trupi më pas është nxjerrë përmes një fadrome, ndërsa është identifikuar si një mashkull, rreth 50-vjeç, por identiteti mbetet ende i pazbardhur.

Njoftim i Policisë:

Elbasan/Informacion paraprak

Rreth orës 14:30, Policia ka marrë njoftim se në lumin Shkumbin, ishte konstatuar i mbytur një shtetas i moshuar.

Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nxjerrë nga uji trupin e pajetë, ende i paidentifikuar.

Nga këqyrja paraprake e trupit të ketij shtetasi dyshohet se ai ka humbur jetën disa ditë më parë.

Trupi i pajetë është dërguar në morgun e spitalit të Elbasanit, për ekspertizë.

Grupi hetimor po punon për identifikimin e shtetasit të pajetë, përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës dhe dokumentimin ligjor të rastit.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb