Një ngjarje e rëndë është shënuar në Itali, një mbrëmje më parë. Mediat përtej Adriatikut shkruajnë, se 44-vjeçari me origjinë polake, Mirko Tonkov, ka masakruar me thikë djalin e tij 10 vjeç, i quajtur Matias dhe të cilin e kishte nga një martesë me një shqiptare. Ngjarja ka ndodhur në Viterbos.

Tronditëse janë detajet e publikuara nga mediat. Sipas tyre, burri ishte shtruar në një spital COVID pasi ishte i infektuar me virusin. Ditën e djeshme, ai është arratisur dhe rreth orës 13:30 të mesditës ka shkuar në shtëpinë e ish-gruas. Aty dyshohet se ka vrarë të birin me thikë.

Shqiptarja, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, ishte kthyer në shtëpi dy orë më vonë dhe ka gjetur fëmijën të vdekur dhe ish-burrin të shtrirë pa ndjenja përbri tij.

Karabinierët, prej ditës së djeshme ndodhen në terren dhe po marrin dëshminë e të komshinjve dhe personave të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjen, për të ndërtuar kështu një dinamikë të plotë të asaj që ka ndodhur.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb