Policia në Volos ka vënë në pranga një 27-vjeçar, i akuzuar për plagosje të rëndë, armëmbajtje pa leje, posedim droge dhe qarkullim të parave të falsifikuara.
Ngjarja ka ndodhur pas një debati të ashpër, ku sipas dëshmisë së një të riu shqiptar, autori dyshohet se e ka qëlluar atë në sy me një pistoletë ajrore, duke i shkaktuar dëmtime serioze. I plagosuri u transportua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.
27-vjeçari u lokalizua gjatë orëve të natës nga forcat e policisë, teksa lëvizte me një automjet privat. Gjatë kontrollit në makinë, autoritetet gjetën dhe sekuestruan një kartëmonedhë 50 euro të dyshuar si e falsifikuar, çka çoi edhe në ngritjen e një akuze shtesë për qarkullim të parave false.
Më pas, gjatë kontrollit në banesën e tij, policia zbuloi dhe sekuestroi 9 thika si dhe tre pako me kanabis të papërpunuar me peshë totale 5.14 gramë.
I arrestuari pritet të dalë përpara Prokurorisë së Gjykatës Penale në Volos, ndërsa hetimet paraprake po vijojnë nga strukturat përkatëse të Policisë Helenike për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
