“Corriere della Sera”, një nga mediat më të mëdha në Itali, ka rikthyer në vëmendje vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi rrethanat e ngjarjes.
Përmes një shkrimi të gjatë, “Corriere della Sera” ngre dyshime se biznesmeni italian nuk është vrarë me armë zjarri, pasi në vendngjarje nuk janë gjetur gëzhoja. Mendohet se ai mund të jetë goditur me mjete të forta në kokë nga personat me të cilët kishte dalë për gjueti.
Dyshime të tjera lindin edhe pas dëshmive të tre anëtarëve të familjes Braçi, të cilët u shoqëruan nga policia, pasi ndodheshin me viktimën në momentin e vrasjes. Sipas “Corriere della Sera”, dëshmitë e ortakut të viktimës, Eqerem Braçi, dhe të dy djemve të tij janë kontradiktore. Fillimisht ata deklaruan se një person i armatosur që lëvizte në këmbë iu kishte dalë përpara dhe kishte qëlluar me breshëri armësh drejt tyre. Ndërsa një version tjetër i dëshmisë lidhet me një debat për dritat e gjata të makinës mes Sarchit dhe 48-vjeçarit Kamber Sulçaj, i dyshuar si autori i vrasjes. Pra, në fillim autori u raportua se ishte në këmbë, ndërsa më vonë rezultoi se kishte lëvizur me automjet.
Gjithashtu, në artikull thuhet se biznesmenit 44-vjeçar nuk i është kryer ekspertiza mjeko-ligjore pas vrasjes, ndërsa ceremonia mortore u organizua shumë shpejt nga bashkëshortja e tij, Majlinda Toga, e cila është gjithashtu aksionere në biznes.
Në shkrimin e saj, “Corriere della Sera” ngre dyshimin se 44-vjeçari Edoardo Sarchi është vrarë nga personat që kanë bërë denoncimin për vrasjen. Ky dyshim mbështetet mbi dëshmitë e tyre kontradiktore, si dhe mbi faktin që ata janë emra të njohur për autoritetet policore.
Sipas medias italiane, hetimi për këtë ngjarje konsiderohet i mbyllur, edhe për faktin se ortakët e 44-vjeçarit kanë lidhje familjare me një eksponent të fuqishëm në politikën shqiptare. Për pasojë, Prokurorisë i mbetet vetëm të kërkojë masën e sigurisë për 48-vjeçarin Kamber Sulçaj, i cili vijon të jetë në arrati.
