TIRANE– Rreth 1 vit pas vrasjes së saj, ish-bashkëshorti Fadil Kasemi, i cili ka deklaruar se vrasjen e ka kryer me koshiencë të plotë, mund të dalë nga burgu për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit.

Të ndodhur përballë këtij fakti dhe ngërçit të sistemit gjyqësor, familjarët e gjyqtares së ndjerë kanë vendosur t’i drejtohen me një letër autoriteteve kryesore të vendit, duke vënë në dijeni edhe ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në vendin tonë.

Letra, e cila u publikua ekskluzivisht mbrëmjen e sotme në emisionin “Studio e Hapur” me Eni Vasilin në “News24”, i është drejtuar kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, dhe mban firmën e Bynjamin Hafizit, babait të gjyqtares së ndjerë, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme pa mundur të shohë dënimin e autorit të vrasjes së vajzës së tij.

Z.Hafizi sqaron nëpërmjet kësaj letre se gjyqi i vrasësit të gjyqtares po zvarritet, dhe për këtë arsye ai kërkon veprimin sa më të shpejtë të Gjykatës së Lartë, ku dosja ka ardhur për të përcaktuar kompetencën e gjykatave.

“Po ju drejtohem juve z.Zaganjori si kryetar i Gjykatës së Lartë, ju lutem të merrni në konsideratë dhe me prioritet këtë kërkesë në mënyrë të tillë që kolegji penal i gjykatës së Lartë të shprehet brenda afatit 30 ditor lidhur me gjykatën kompetente që gjykimin e kësaj dosjeje”, shkruan Bynjamin Hafizi.

Ai shton më tej se, “shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë sa më parë në mënyrë që ky vrasës të dënohet siç e meriton pa u rrezikuar përfundimi i afateve të paraburgimit”. Duke kujtuar sloganin “Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar”, babai i gjyqtares Fildes Hafizi shton më tej në letrën e tij: “Po kërkojmë që drejtësia të vihet në vend të paktën kësaj rradhe. Jemi të lënduar dhe i vetmi ngushëllim do të ishte dhënia e drejtësisë dhe jo zvarritja e saj”.
1(1)
2(1)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb