Policia ka zbardhur dëshminë e Luan Maçi, autorit të grabitjes me armë të pikës së këmbimit valutor brenda qendrës tregtare Concord, në zonën e “5 Majit”. Fillimisht, 42-vjeçari mohoi akuzat para efektivëve, duke pretenduar se nuk kishte kryer grabitjen e rreth 300 mijë lekëve të reja. Megjithatë, në lavatriçen e shtëpisë së tij u gjetën rrobat që përdori gjatë grabitjes, si dhe brisku i rrojes, prova kyçe që konfirmuan përfshirjen e tij. Pas këtyre gjetjeve, Maçi pranoi autorësinë dhe shpjegoi motivet dhe mënyrën se si kishte planifikuar ngjarjen.
“Planifikoja grabitjen që më përpara, por pas tentativës për të grabitur bankën në zonën e ish-Parkut u frikësova dhe vendosa ta shtyja. Isha i detyruar, sepse kam shumë borxhe dhe një nënë të sëmurë në gjendje shumë të rëndë,” deklaroi Maçi.
Burime pranë policisë bëjnë me dije se sapo kryeu grabitjen, Maçi u largua pa nxitim. Ai hyri fillimisht në këmbë brenda tregut të Medresesë dhe më pas doli në anën e pasme përmes rrugicave. Pistoleta u fsheh fillimisht në një pusetë, më pas ai mori një taksi dhe u kthye në shtëpi. Për t’u fshehur, ai hoqi mjekrën dhe i tha efektivëve se kishin ngatërruar personin, pasi nuk ishte ai autori. Policia i gjeti vetëm 15 mijë lekë të reja, ndërsa pjesa tjetër e shumës dyshohet se është përdorur për shlyerjen e borxheve. Dëshmia e tij, sipas burimeve, përmban kontradikta në lidhje me përdorimin e parave.
