Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, ka reaguar pas përmendjes së emrit të tij nga kryeministri Edi Rama gjatë aktivitetit të organizuar në Elbasan me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Alizoti akuzoi Ramën për arrogancë politike dhe për përpjekje për ta lidhur fatin e tij politik me fatin e Shqipërisë, duke argumentuar se askush nuk mund të identifikohet me interesin e vendit apo të qytetarëve. Deputeti demokrat u shpreh se protestat dhe zhvillimet e fundit në vend janë rezultat i drejtpërdrejtë i mënyrës së qeverisjes së kryeministrit dhe jo pasojë e veprimtarisë së opozitës apo faktorëve të tjerë politikë.
Sipas Alizotit, pakënaqësia qytetare po bëhet gjithnjë e më e dukshme, ndërsa mijëra shqiptarë po zgjedhin të shprehin kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë përmes protestave në rrugë dhe sheshe. Ai theksoi se Shqipëria po kalon një moment të rëndësishëm politik, ku qytetarët po kërkojnë më shumë përgjegjshmëri, llogaridhënie dhe ndryshim, duke e konsideruar reagimin qytetar si një sinjal të qartë të pakënaqësisë ndaj modelit aktual të qeverisjes.
Postimi i plotë:
Që e ke humbur fare duket qartë. S’ka nevojë për psikologë e psikiatër. Bashkon fjalë dhe kujton se bën fjali. Më paske përmendur edhe mua si deputet, në ligjëratën e lodhshme para të tutëvëve. Ty të pëlqen të vetëkënaqesh para skllevërve të tu nëpër salla.
Po ky sot është problemi më i vogël që ke ti dhe duartrokitësit e tu. Tani po të jap një leksion historie, se ti, si i shkolluar nga kinostudio, e ke diapazonin mendor sa ekrani i një televizori Iliria. Po të tregoj që, që nga koha e faraonëve e deri te sivëllai yt, Stalini, të gjithë diktatorët e bashkojnë kombin me veten. Njësoj si ti, po fiks fare si ti, e quajnë fundin e vet si fund të kombit. Por, po të shkollohesh me televizor Iliria, babëzia ta errëson gjykimin.
Këto që po ndodhin këto ditë në Shqipëri janë rezultat i qeverisjes tënde. Mund të bësh kllounin sa të duash, të thërrasësh në ndihmë kë të duash; suksesi i protestës është fundi yt.
Unë jam deputet dhe në politikë ka finale të mira e të këqija politike. Por ti s’je më përballë meje si deputet, as përballë nesh si politikanë. Ndaj mos u përgjëro kot. Fundi i pushtetit tënd duket qartë që s’do të jetë më politik. Do të jetë në shesh, aty ku rrëzohen të gjithë ata që qeverisin si ti. Dhe unë i falënderoj dhe i mbështes nga zemra të gjithë ata që po ta afrojnë këtë fund, që e meriton totalisht. Kjo ishte përgjigjja politike. Sa për mbiemrin tim, më vjen keq. Jemi kaq të ndryshëm, sa s’ta kthej dot përgjigjen. Nuk ma lejon edukata familjare të debatoj me sojin tënd.
