Reshjet jashtëzakonisht të dendura të dëborës në Japoni gjatë dy javëve të fundit kanë shkaktuar humbjen e jetës së 30 personave, njoftuan sot autoritetet lokale. Mes viktimave është edhe një grua 91-vjeçare, e cila u gjet e pajetë nën një shtresë dëbore rreth tre metra të lartë jashtë shtëpisë së saj.

Rajoni më i goditur është Aomori, ku në zonat e largëta trashësia e dëborës ka arritur deri në 4.5 metra. Qeveria qendrore ka dislokuar trupa ushtarake për të ndihmuar banorët dhe për të përballuar situatën emergjente.

Kryeministrja Sanae Takaichi zhvilloi të martën në mëngjes një mbledhje të posaçme të kabinetit, duke udhëzuar ministrat që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar viktima të tjera dhe aksidente.

Sipas autoriteteve, një masë e fuqishme ajri i ftohtë ka goditur bregdetin e Detit të Japonisë në javët e fundit, duke sjellë reshje dëbore shumë mbi normalen. Në disa zona është regjistruar më shumë se dyfishi i mesatares sezonale.

Agjencia e Menaxhimit të Zjarrfikësve dhe Fatkeqësive konfirmoi se nga 20 janari deri të martën, 30 persona kanë humbur jetën si pasojë e kushteve ekstreme të motit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb