Nga Renaldo Salianji

Në 10 shtator 2021, në sallën e seancave plenare, krahas figurave të njohura në parlament që e kanë dominuar për më shumë se 30 vjet atë sallë në mazhorancë dhe opozitë, tha “Betohem” sipas formulës kushtetuese edhe një deputete e re. Ilda Dhori, përfaqësuesja  e qytetarëve të Divjakës, që hoqi përparësen e bardhë të mjekes në spitalin e Lushnjës, për të veshur kostumin e deputetes. Për 35 vjeçaren, angazhimi politik nuk ishte një rastësi, por erdhi gradualisht, që në moshë të re.

“Angazhimi im në politikë ka filluar në zgjedhjet lokale të vitit 2015, për Bashkinë Divjakë, ku jam përfshire në fushatë dhe kam kandiduar e jam zgjedhur Këshilltare në Këshillin Bashkiak(2015-2019)”– na tregon Ilda në këtë intervistë.

“Më  pas – vijon ajo – kam vazhduar aktivitetin tim në politikën lokale dhe në vitin 2020 jam propozuar nga anëtarësia e Degës Divjakë të PD-së, si kandidate për deputete për zgjedhjet e vitit 2021.”

Megjithëse e re në moshë, e re në politikë dhe në përballje elektorale, ajo pranon me krenari se ja doli, që me fushatën e saj, Partia Demokratike të merrte rezultatin më të mirë në 30 vite në atë zonë

“Kam qenë e renditur e 6-ta dhe kam fituar mandatin e deputetes, me rezultatin më të mirë në 30 vite për zonën time.”

Si mjeke, ajo përballej çdo ditë në spital me problemet e qytetarëve, të sistemit shëndetësor, mungesën e ndjeshmërisë për qytetarët nga institucionet dhe thotë se këto u bënë shtysa e saj për të kandiduar.

“Të futesha në politikë më shtyu përditshmëria ime dhe e komunitetit ku jetoj, shumë padrejtësi, shumë pak kërkesë llogarie e transparencë.”

Dhori, është nga ata politikanë që kurrë nuk i ka shijuar frytet e pushtetit, pasi ju bashkua Partisë Demokratike kur ajo ishte tashmë në opozitë, duke e parë këtë si një mënyrë për të kërkuar zgjidhje, dhe jo për përfitim personal.

“Nisur nga vetë natyra ime, zakonisht e papajtuar me padrejtësinë, jam bërë pjesë e opozitës dhe PD-së në periudhën kur kjo e fundit ishte në opozitë, si mundësia që edhe unë të isha një zë më shumë në këtë aspekt”

Në qarkun ku ajo kandidoi dhe fitoi në vitin 2021, lista ishte e dominuar nga burrat, dhe prania e tyre gjatë fushatës, Ilda thotë se ka qenë evidente.

“Presioni i burrave është dhe ndihet kudo”

Por nëse në zgjedhjet e vitit 2021, Ilda ja doli në betejën e saj, këtë herë, ajo nuk do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë të partisë së saj, duke u tërhequr me dëshirën e saj nga gara.

“Nuk do të rikandidoj në 2025-ën, për shkak të një sistemi zgjedhor totalisht të padrejtë dhe të pamundur që të vleresojë proporcionalisht mundin dhe peshën e çdo kandidati, që deputetët të zgjidhen përmes votës së qytetarëve, kështu që mora me vullnetin tim, vendimin për të mos qenë pjesë e listave në 11 maj 2025.”

Edhe në këtë rast, presioni i burrave brenda partisë së saj, bëri që Ilda të hidhej në det të hapur, që burrat e partisë të notonin në ujra të sigurta, gjë të cilën 35-vjeçarja nuk e pranoi.

“U diskriminua një grua, nënë e tre fëmijëve, dhe kjo e fundit u nxor në betejën e pamundur, ndërkohe që dy burra u futën nën ombrellën e ngrohtë të kyçjes në listat e mbyllura dhe me shanse për të qenë përfaqësues. Gruaja u hodh në shesh, ndërsa burrat u fshehën për të vjelur rezultatet finale, dhe nisur nga indinjata e natyrshme imja, ndaj këtij diskriminimi të hapur, shkova në një vendim të tillë për të refuzuar këtë padrejtësi flagrante.”

Në politikë është e vështirë të ruash njeriun, të ruash dinjitetin tënd, të mos dalësh kundër parimeve që ke e të shkelësh mbi veten për interesat e partisë. Në këto 35 vite kemi shumë shembuj që e kanë bërë këtë, por Ilda thotë se vendimi për tu larguar ishte pikërisht për këtë arsye.

“Vendimi ishte një refleksion dhe vlerësim për veten time dhe njerëzit që unë përfaqësoj. Në momentin kur ne si zonë kemi dhënë maksimumin e rezultatit në vitin 2021 dhe premtojmë të shtojmë akoma më tepër rezultatin, dhe mbetemi jashtë pragut të llogaritur për të arritur të kemi përfaqësues në Kuvend, por ndërkohë që vendosen brenda këtij pragu dy deputetë nga e njëjta degë, PD-Lushnjë.”

Si një profesioniste, që Politikën e ka vokacion dhe jo profesion, Ilda shprehet se pas këtij rrugëtimi, do te veshë përsëri përparësen e bardhë që 4 vite më parë e vari në gozhdë për të veshur kostumin e deputetes. Kontributi për qytetarët – thotë ajo – është më i rëndësishëm se një numër në listën e partisë.

“Gjykova që vendimi im personal të ishte tërheqja në një fushë ku mund të kontribuoj më tepër, siç është profesioni im.”

Biseda me Ildën, na çon edhe njëherë te fushata e saj për zgjedhjet e 25 prillit 2021, kur la fëmijën vetëm 2 muajsh në shtëpi, për të kërkuar besimin e bashkëqytetarëve dhe pacientëve të saj, për t’i përfaqësuar në parlament.

“Fushata ime ka qenë dhe do të ishte vetëm pozitive, sepse shtirja nuk të çon shumë larg dhe sepse njerëzit duan alternativë  dhe jo gënjeshtra.” – thotë ajo, dhe pikërisht rezultatet e arritura i japin të drejtë.

“Rezultatet e mia të votëbesimit nga mijëra qytetarë janë dëshmia se politika nuk ka nevojë vetëm për para, vrazhdësi, arrogance dhe imazhe te fortësh, por ka nevojë  për fytyra të pastra dhe njerëz që kanë integritet”

E kur vjen puna këtu, tregohet edhe njëherë për Ildën, forca që gratë kanë për të bërë ndryshimin, në një realitet sado të ashpër, siç është ai politik.

“Gratë, dhe sidomos profesionistet mund të mundin edhe burrat ne fushëbetejë, pavarësisht shumave të investuara prej këtyre të fundit në fushata.”

Në fushatën e vitit 2021, Ilda thotë se nuk ka patur akses në fondet e partisë së saj.

“Zero financime nga partia ime!”-thotë ajo, pa e fshehur zhgënjimin.

Përvoja e saj pasqyron një model më të gjerë të studiuar nga Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” (EDM), në partneritet me National Democratic Institute (NDI), i cili kreu një studim kombëtar mbi lidhjen e gjinisë, parasë dhe politikës në Shqipëri. Studimi zbuloi se 68% e grave kandidate duhej të vetëfinanconin fushatat e tyre dhe vetëm 13.25% kishin akses në fondet e partisë, ndërsa shumica nuk ishin në dijeni të ndonjë mekanizmi të brendshëm që mund t’i mbështeste ato. Studimi tregoi gjithashtu se gratë priren të kenë më pak vite anëtarësim në parti, ekipe më të vogla të fushatës dhe rrjete të brendshme më të dobëta krahasuar me kandidatët burra. Këto pabarazi jo vetëm që theksojnë mungesën e mbështetjes financiare, por gjithashtu ekspozojnë barrierat sistematike me të cilat përballen gratë në politikën elektorale.

Në këto kushte, Ilda shpenzoi kursimet e familjes së saj për të bërë fushatë për Partinë Demokratike.

“Shpenzimet e fushatës sime janë siguruar 100% nga të ardhurat e mia familjare. Asnjë qindarkë nga partia dhe asnjë qindarkë nga çfarëdo lloj burimi tjetër.”

Dhe e gjendur në këto kushte, thotë, se strategjia e fushatës së saj u përshtat me paratë që kishte në dispozicion, duke u përpjekur të bëjë një fushatë pa shumë shpenzime”

“Shpenzimet e mia në fushatën e vitit 2021, kanë qenë ato të kafeve me qytetarët dhe naftës së transportit. Asgjë më shumë nuk është shpenzuar nga ana ime, fushata ka qene minimaliste në kosto por shume rezultative në vota, sepse veçanërisht Divjaka, ku kam qenë përfaqësuese, ka nevojë për një fytyrë dhe jo për një fasadë.”

E re në moshë dhe në politikë, përballë kandidateve të tjerë me shumë vite, njohje dhe lidhje në politikë, kandidates që në atë kohë sapo i kishte mbushur të 30-at, i nevojitej një ekip PR-i, që të kompensonte këto, që në fakt duhet të ishin avantazhe konkurruese, por në real politikën shqiptare kthehen në dobësi.

“Nëse do të kisha më shumë fonde në dispozicion, do  të kisha ndoshta më shumë mjete promocionale dhe do investoja më tepër në PR”– thotë Dhori.

Por megjithatë, shembulli i saj, është treguesi më i qartë se paratë ndonjëherë nuk janë gjithçka në politikë. Ilda ja doli, përballë burrave me shumë para, dhe mori më shumë vota se ta, duke e trajtuar politikën si mjet, jo si qëllim në vetvete.

“Shumë kandidatë patën financime dhe shpenzime shumë më të bollshme se unë, por në thelb, nuk mendoj se më kanë kushtuar aspak, sepse unë zgjodha politikën e të parit në sy të çdo qytetari të cilit i kërkova votëbesim, dhe jam krenare që rezultatet e mia, i tejkaluan rezultatet e fushatave të kushtueshme. Njerëzorja e tejkaloi falsitetin dhe fasadën.”

Ilda e bëri betejën e saj 4 vite më parë, edhe pse e pabarabartë, edhe pse e vështirë. Si një grua e re që e ka provuar në vetë të parë presionin që vjen në fushatë nga paratë, ajo e konsideron domosdoshmëri gjetjen e një mekanizmi, që gratë dhe vajzat të kenë akses direkt në fondet e partisë.

“Ideja e kuotimit të një pjese të buxhetit për gratë dhe vajzat është domosdoshmëri, në Shqipëri sidomos, ku është shumë flagrant diskriminimi i grave në raport me burrat, në buxhetim e mbështetje financiare dhe në aspekte të tjera. Fatkeqësisht duhet ta pranojmë se jemi larg mentalitetit të barazisë gjinore edhe në politikën shqiptare, ku vetëm falë ‘diskriminimit pozitiv’ të kuotave gjinore, sot më shumë gra janë në Parlament, dhe po kështu duhet të fillojmë t’i bëjmë pjesë gratë edhe në aspekte të tjera të politikës siç janë buxhetimet”

Këto 10 vite në politikën aktive i kanë dhënë Ilda Dhorit shumë mësime, dhe e mbyll intervistën me ne, me një mesazh për të gjitha gratë dhe vajzat që duan të hyjnë në politikë.

“Për çdo grua që kërkon të futet në këtë fushë:

Forca juaj është në zemrën dhe karakterin tuaj, është në qasjen që keni ndaj njerëzve dhe problemeve të tyre, është në dhembshurinë e çdo pamundësie që kanë qytetarët që përfaqësoni; dhe kam bindjen se një grua e aftë, bën një politikë  shumë më të mirë se një burrë, sepse është më njerëzore.

Sot politika ka nevojë për fytyra dhe për njerëzoren, dhe gruaja më shumë se burri, e ka këtë ndjeshmëri ndaj atyre që e rrethojnë.

Paratë nuk janë gjithçka për të bërë politikë të mirë!” 

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb