Një tjetër dëshmi tronditëse dhe mjaft prekëse ka prekur bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë protestës masive në kryeqytet. Mes lotësh dhe me zërin që i dridhej nga dhimbja, në podium ka ngjitur halla e Erionit, një të riu të vrarë me thikë nga një bashkëmoshatar, e cila ka lëshuar akuza mjaft të rënda ndaj sistemit shëndetësor dhe shtetit shqiptar.
Ajo tregoi se përveç agresorit, në vdekjen e nipit të saj ka ndikuar drejtpërdrejt edhe kolapsi i spitaleve, duke denoncuar faktin se gjatë kohës që i riu po i nënshtrohej operacionit për jetën, në spital janë fikur dritat.
“Unë jam halla e Erionit. Ai u vra me thikë nga një bashkëmoshatar, por e vrau edhe shteti, sepse gjatë operacionit u fikën dritat në spital! Plagët e këtij vendi janë lotët e nënave shqiptare që nuk i kanë fëmijët. Të bashkohen me të gjitha lotët e tyre, që peshojnë shumë mbi tokën shqiptare”, u shpreh ajo mes emocioneve.
Ajo theksoi se dhimbja e familjes së saj do të gjejë shërim vetëm atëherë kur të shërohet i gjithë vendi nga ky degradim, duke i bërë thirrje qeverisë të largohet dhe duke përgëzuar rininë që ka mbushur sheshin.
“Unë jam mësuese dhe jam poete që shkruaj, por pena ime loton për Erionin prej muajsh. Dhimbja jonë do shërohet kur të shërohet Shqipëria. Shporruni të shpëtojë ky vend! Bravo rinia shqiptare, e gëzofshi Shqipërinë e bukur!” përfundoi ajo.
