Emisioni investigativ Vetting në News24
Dështimi i bashkive në mbrojtjen e grave
Me ndryshimet në ligjin për dhunën në familje, të përfshira në mekanizmin e mbrojtjes janë edhe njësitë pranë bashkive, që kanë rolin mbrojtës. Sipas avokates Rezarta Agolli e cila është përballur vazhdimisht me kliente të saj të cilat janë dhunuar shprehet se, “puna ngelet te Bashkia e cila me ligj është e detyruar të referojë zbatimin e këtij urdhëri mbrojtjeje. Gruaja në momentin që ka marrë urdhërin e mbrojtjes e mbrapa, ngelet pa asnjë lloj ndihme përveç asaj letre”.
Nga rasti i viktimës në Kamzë, për të cilën Avokati i Popullit ka ngritur alarmin rezulton se Mekanizmi i Koordinuar të Referimit të rasteve të dhunës në Familje në Bashki nuk ka qenë në dijeni. Duke mos patur asnjë njoftim mbi rastin në fjalë nga Policia, koordinatorja kundër dhunës nuk e ka trajtuar asnjëherë këtë rast dhe nuk e ka raportuar në takimin e Komitetit Drejtues për referimin e dhunës në familje.
Për rastin e kallëzuar në muajin shtator 2019, nuk është kryer vlerësimi i riskut dhe nuk janë marrë masat për mbrojtjen e viktimës pasi struktura e Policisë së Kamzës nuk ka ndjekur udhëzimet sipas ligjit.
Ka qenë Qendra “Të drejtat e Njeriut në Demokraci”, e cila ka ngritur shqetësimin për ndihmën ekonomike, që duhet të marrin gratë që janë viktima të dhunës në familje nga Bashkia Kamëz, që drejtohet nga Rakip Suli.
Sipas Ines Leska drejtore ekzekutive e AWEN, “Fondet nuk janë të mjaftueshme asnjëherë, sidomos fondet e alokuara nga niveli i institucioneve qëndrore ose qofshin këto edhe institucionet lokale, pra Bashkitë që e kanë për detyrë që t’u përgjigjen qytetarëve me shërbime sociale, në këtë rast vajzave dhe grave në nevojë”.
Më 7 korrik 2022, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda doli me rekomandim për ndihmën sociale të viktimave të dhunës në familje në Bashkinë Kamëz, ku kërkoi që këto gra të pajisen me ndihmë sociale. Komisioneri i rekomandoi Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, që të udhëzojë brenda 24 orëve nga shpallja e vendimit për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ose urdhrit të mbrojtjes, viktima e dhunës në marrëdhëniet familjare të pajiset me shkurtimin e vendimit/dispozitivit të gjykatës, me qëllim shmangien e vonesave deri në zbardhjen e plotë të vendimit gjyqësor.
Sipas Psikologia Dr. Jorida Rustemi: “Ajo që vihet re, është e vërtetë është një rritje e numrit të atyre që denoncojnë dhe kjo mund të ketë përgjigje nga më të ndryshmet. Që nga masat ligjore që janë marrë, me amendamentet dhe ndryshimet ligjore që janë bërë”.
Nga analiza e fondeve për këtë strukturë, por edhe për Shërbimin Social Shtetëror, për periudhën 2020-2022 vihet re ulja e fondeve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ulja e fondeve është një vendim me pasoja fatale kur shohim se është rritur numri i rasteve të dhunës të dokumentuara, të cilët kanë kërkuar mbrojtje nga Policia e Shtetit.
Nga dhuna nuk preken vetëm gratë, por edhe fëmijët. Gjatë periudhës 2021-2023 të monitoruar nga Avokati i Popullit, 35 fëmijë u prekën nga vrasja e nënave të tyre nga të cilët 20 ishin të mitur. Po ashtu, disa prej tyre ishin të pranishëm në momentin e ngjarjes.
Këta fëmijë vuajnë pasojat psikologjike, por edhe ekonomike për shkak të ngjarjes edhe të zgjatjes së procedurave gjyqësore mbi kujdestarinë. Përgjithësisht familjet që marrin të drejtën e kujdestarisë së këtyre fëmijëve hasin vështirësi në rritjen dhe edukimin e tyre për shkak të situatës ekonomike, ose mungesës së shërbimeve dhe pamjaftueshmërisë së tyre.
(BalkanWeb)