Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) u ka bërë thirrje vendeve evropiane të forcojnë monitorimin dhe kontrollin e mushkonjave, në një kohë kur virusi i Nilit Perëndimor po përhapet dhe speciet pushtuese po shtrihen në territore të reja.
“Zgjerimi i transmetimit të virusit të Nilit Perëndimor, si dhe përhapja e specieve pushtuese të mushkonjave, tregojnë pse Evropa duhet të forcojë kapacitetin e saj të kontrollit”, deklaroi Céline Gossner, eksperte e ECDC-së për sëmundjet vektoriale dhe zoonotike.
Paralajmërimi vjen në kulmin e sezonit të transmetimit. Sipas të dhënave të ECDC-së, deri më 13 gusht, në nëntë vende evropiane janë raportuar 429 raste të virusit të Nilit Perëndimor të fituara lokalisht. Në gjashtë rajone, raste janë regjistruar për herë të parë këtë vit.
Autoritetet presin që numri i rasteve të rritet më tej, pasi transmetimi i virusit zakonisht arrin pikun gjatë muajit gusht dhe në fillim të shtatorit.
Përhapet edhe mushkonja tigër
Paralelisht me virusin e Nilit Perëndimor, në Evropë po zgjerohet edhe prania e mushkonjës tigër aziatike, Aedes albopictus. Sipas ECDC-së, kjo specie është vendosur tashmë në 16 vende evropiane, dy herë më shumë se 12 vite më parë.
Mushkonja tigër mund të transmetojë sëmundje si dengue dhe chikungunya, të cilat historikisht janë lidhur kryesisht me zonat tropikale dhe subtropikale.
Një studim i ri i ECDC-së ka evidentuar gjithashtu dallime të mëdha mes vendeve evropiane në mënyrën se si organizohen dhe financohen programet për monitorimin dhe kontrollin e mushkonjave.
Sipas raportit, shumë prej këtyre programeve mbështeten në financime afatshkurtra dhe nuk kanë plane të qëndrueshme për periudha më të gjata. Përgjegjësitë shpesh ndahen mes autoriteteve kombëtare, rajonale dhe lokale, duke e komplikuar edhe bashkëpunimin ndërkufitar.
ECDC rekomandon që kontrolli i mushkonjave të përfshijë monitorimin e vazhdueshëm të popullatave, angazhimin e komuniteteve dhe masa të synuara për reduktimin e tyre, duke marrë njëkohësisht parasysh edhe ndikimin në mjedis.
