Ngjarja e rëndë në Velipojë prodhoi 4 të vrarë e dy të plagosur. Një prej viktimave, ishte dhe 20-vjeçari Musaen Zeneli, i pa përfshirë në konfliktin mes dy familjeve, Gocaj dhe Ferracaku. Plumbat e kapën befasisht të riun, teksa ndodhej në orarin e punës, pikërisht, në ditën e parë të saj.

Nëna e Musaenit, Anila, ka dhënë një intervistë për emisionin “Me zemër të Hapur” të Evis Ahmetit, në “NeWs 24”. Mes lotësh, ajo rrëfen momentin kur ka marr vesh ngjarjen e rëndë.

Mamaja e viktimës, tregon karakteristika të djalit. Ajo thotë se ishte i dashur dhe i ëmbël në sjellje, ndërsa shton se sistematikisht punonte. Paratë që përfitonte nga puna i riu ia dorëzonte mamasë, pasi siç e konfirmon ajo, pas vdekjes së të shoqit, familja përballej me vështirësi ekonomike.

“Edhe hamall ka punuar dhe lekët m’i sillte mua”, rrëfen mamaja e djalit.

Ndërkaq, ajo tregon edhe momentin kur ka parë për herë të parë trupin e pajetë të të birit.

“Kur e pashë u qetësova, e putha”, rrëfen gruaja.

“Ai faktikisht nuk ka qëndruar pa punë. Ne si familje, që kur ma ka lënë baba të vogël, e kam mësu me edukatën që të donte punën. Ka qenë fëmijë i butë, i qetë, s’i kam shtrirë dorën ndonjërit.

Ai tha kemi gjet një qen, ma mbaj, do i shes. Ka qenë fëmijë i sinqertë, atë lek që ka fituar ma ka sjell në dorë. Punonte gjithmonë gjatë verës, nuk rrinte pa punuar. Ndoshta dhe hamall ka punuar, e ka qëndruar duke mbajtur thasë, lekët mi jepte mua. Ai ka mbajt pulat, qentë, të gjitha. Jam krenar për të. Dita e parë e punës për të ka qenë me gëzim.

‘Mami më tha, jam paradite në punë. Po nisem për Velipojë’ .

Unë isha në punë, çdo zemër nëne ndjen therje, rrahje, sepse çdo nënë e kupton dhimbjen e fëmijës. Di të them këtë gjë, faleminderit Zotit që ka pasur dhe djalë krenar, ka shkuar i qeshur. S’e di pse më ka vdek djali. Unë vdekjen e tij e kam marrë vesh nga vëllai, atë kishin marrë në telefon. Unë e kam mbyll telefonin dhe më ranë të fikët, nuk di më. Rrethanat s’i di.

Trupin e djalit e kam parë pasi ika në shtëpi, fola me përgjegjësen dhe më tha hajde hymë bashkë. Kam parë trupin e tij, e kam parë dhe me e putha. Nga drejtësia kërkoj të drejtën për djalin tim, kaq. Felizi i parë m’u këput, të mos më këputet filizi tjetër. Nuk di ç’të them, them të kenë kujdes shumë të rinjtë e sotëm”, përfundoi Anila Zeneli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb