I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ndërsa foli për çështjen e Erion Veliajt, ai tha se kryebashkiaku kërkon vetëm një proces të rregullt.
Gjithashtu theksoi se pritshmëritë për çështjen janë të larta, megjithëse sipas tij ekzistojnë problematika të dukshme në sistemin e drejtësisë.
Sipas Ndrecës, Veliaj po zhvillon një betejë për të drejtat dhe standardet europiane të drejtësisë, duke kërkuar që procesi ndaj tij të zhvillohet mbi bazën e ligjit dhe respektimit të lirive themelore.
“Zoti Veliaj është i bindur që nuk do jetë në qeli. Pritshmëritë janë të larta. Referuar asaj që po ndodh me sistemin e drejtësisë, jemi me këmbë në tokë. E dimë se me kë kemi të bëjmë dhe se çfarë problematikash ka sistemi. Por zoti Veliaj nuk do e bëjë këtë luftë vetëm për vetën, por edhe për ata qytetarë që nuk u respektohen të drejtat. Do jetë një luftë për një sistem të drejtash. Të jesh si Europa duhet të kesh edhe standard Europiane. Pra zoti Veliaj po e bën dhe kërkon me ngulm të drejtën pavarësisht kostos. Zoti Veliaj në këto 15 muaj është treguar i matur dhe shumë i qetë edhe me Bashkinë e Tiranës në mungesë të tij”, tha avokati i kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca, duke shtuar: “Një sistem drejtësie nuk po themi se duhet të jetë perfekt por nuk mund të humbë aftësia për vetë-rregullim që fatkeqësisht kjo ka ndodhur. Edhe kur dali vendimet të Gjykatës Kushtetuese, nuk zbatohen. Edhe zoti Meta është një rast absurd. Nuk e kuptoj se çfarë i shërben prokurorit të rrijë dy vite në burg? Se kujt mund t’i bëjë dëm”, tha ai.
