Tekniku i Teutës, Edi Martini u shfaq i mërzitur pas humbjes 0-1 ndaj Vllaznisë.
“Kishim ngarkesë, fillimi ishte i rëndë, lojtarët hynë në fushë me presion, duhej fitorja patjetër. Topat e parë dhe të dytë u humbën. Ishim të paqartë në qarkullimin e topit, kishim frikë ta mbanin topin. Mund të shënonim në disa raste. Nuk meritonim fitoren por barazimin mund ta merrnim.
Lojtarët nuk merrnin topin në zonat boshe, kthenin shpinën dhe bënim pasa gabim. I lëshuam terren Vllaznisë kur nuk na bënin presing. Pjesa e dytë ishte pak më ndryshe, por nuk jam i kënaqur absolutisht.
Mario Gjata? Sot e futëm në lojë dhe ishte më mirë se ndeshje të tjera. Ka patur probleme fizike dhe stërvitjet i ka lënë përgjysëm prej muskujve të barkut. Me këtë performancë do të ketë minuta në ndeshjet e tjera.
Jemi ekipi që kemi shënuar më pak gola, problem i joni. Nuk është problem vetëm i sulmuesve, po i gjithë ekipit. Patëm raste shënimi dhe nuk i shënuam. E vuajmë pjesën e golit, por s’kemi ç’të bëjmë. Daci krijoi volum na ndihmoi, por nuk është vetëm faji i tij që nuk shënuam. Mesfushorët mbrojtësit, të gjithë duhet të kontribuojnë bashkë, duhet të jemi më shumë altruistë.
Po pësojmë gola nga goditje standarte, s’ka komunikim. Edhe këto javë kanë mbetur deri në përfundimin e fazës së parë dhe duhet të japim maksimumin” – Tha ai.
(J.S/BalkanWeb)
